N’Kosovë
22 Maj, 2025
“Apricity” një fjalë e rrallë për një ndjesi të përditshme!
Në mesin e fjalëve të vjetra angleze që sot tingëllojnë si poezi të harruara, “apricity” zë një vend të veçantë. Fjala e cila përshkruan ndjesinë që të gjithë e përjetojnë por pak e emërtojnë: ngrohtësia e diellit në ditët e ftohta të dimrit.
Fjala “apricity” u shfaq për herë të parë në fund të shekullit XVI, saktësisht në vitin 1623, në një fjalor të rrallë të hartuar nga Henry Cockeram, një leksikograf anglez që botoi një nga fjalorët më të hershëm të gjuhës angleze.
Fjala vjen nga latinishtja “apricus”, që do të thotë “i ekspozuar ndaj diellit” ose “me diell”. Kockeram e përfshiu këtë fjalë në librin e tij “The english dictionarie”, ku përpiqej të ruante dhe regjistronte fjalë të rralla, shumë prej të cilave janë zhdukur nga përdorimi i përditshëm.
Pse u përdor dhe çfarë përfaqëson?
“Apricity” nuk është thjeshtë një përshkrim meteorologjik. Ajo kap një ndjesi të hollë, gati poetike, atë përqafim të butë që ndjenë nga rrezet e diellit teksa ecën në një ditë të akullt. Është një fjalë që ndërthur klimën me ndjeshmërinë, natyrën me shpirtin njerëzor.”
Përdorimi i saj lidhet shpesh me shkrimtarë dhe poetë që kërkonin mënyra të rafinuara për të përshkruar përvojat e zakonshme. Pavarësisht kuptimit të saj të bukur, fjala nuk arriti të bëhej pjesë e përhershme e anglishtes së folur dhe u konsiderua e vjetruar (archaic) që në shekullin XVIII.
Në dekadat e fundit, “apricity” është rikthyer në vëmendjen e dashamirëve të gjuhës dhe poetëve bashkëkohorë. Në rrjete sociale dhe në blogje letrare, ajo përdoret shpesh si shembull i fjalëve që mungojnë në fjalorët modernë, por që përshkruajnë ndjenja universale. Është bërë simbol i asaj që mund të quhet “nostalgji për gjuhën”, një kujtesë se fjalët kanë jetë dhe histori, po aq sa sendet që ato emërtojnë.
Krahasuar me fjalën angleze “apricity”, në gjuhën shqipe nuk ka një fjalë të vetme që e përshkruan saktësisht të njëjtën ndjesi: ngrohtësinë e diellit në një ditë të ftohtë dimri. Në shqip mund të thuhet:
“Ngrohtësia e diellit në dimër”
“Diell i ëmbël në acar” ose “dielli me dhëmbë”
“Rrezet që të ngrohin në të ftohtë”
Por të gjitha këto janë përshkrime, jo një term i vetëm që ngërthen në vetvete ndjesinë, vendin dhe kohën siç bën fjala “apricity”.
Pse mungojnë fjalë të tilla në shqip?
Shumë nga fjalët e rralla dhe poetike në anglisht janë ruajtur përmes leksikografëve, poetëve, dhe autorëve që nga shekulli XVI. Në shqip, deri vonë gjuha është ruajtur dhe përdorur kryesisht gojarisht dhe termat e hollë emocional apo natyralist janë përshkruar shpesh përmes frazave, jo fjalëve të vetme.
Shqipja u formësua kryesisht në një kontekst rural, ku emërtimi i natyrës i shërbente më shumë funksionit praktik sesa përshkrimit poetik. Dielli, dëbora, ngrohtësia ishin dukuri jetësore, por jo domosdoshmërisht të konceptuara si ndjesi metafizike që kërkonin fjalë të veçanta.
Në krahasim me anglishten (ku fjala “apricity” është shembull i një përpjekjeje për të fiksuar ndjesi të caktuara natyrore në fjalor), shqipja ka pasur më pak zhvillim të tillë në mënyrë të qëllimshme.
Shkrimtarët shqiptarë shpesh janë përqendruar më shumë në temat shoqërore, politike apo historike, më pak në detajet emocionale të natyrës.
A mund të krijohet një fjalë e tillë në shqip? S’është që s’ka ndodhur më herët, në vitin 2021, libraria “Buzuku”, futi në përdorim fjalën “kumbeti” si kombinim i “Ku + mbeti), për “bookmarks”, të cilën e dha si ide dizajneri grafik, Berin Hasi.
Dielldimër (diell + dimër)
Ngrohtinë (ngrohtësi + tinë = e fshehtë, e papritur)
Rrezengrohtësi… krijime të mundshme që mund të ngërthejnë ndjesi të veçanta natyrore, por për të hyrë në përdorim duhet kohë, përdorim i qëllimshëm dhe dashuri për gjuhën!

