Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Shkurt, 2025

Pamja e ujëvarës, e kishës, kullave prej gurit, syrit të kaltër duken aq përrallore dhe magjepsëse, sa që thua, a janë reale?

THETHI

Është fshati i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku dhe Paplukut, është natyra që pa diskutim duhet të vizitohet në vikend.

Historia e Thethit është e lidhur ngusht me atë të Shalës si dhe me atë të fisit ilir, Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.

Për herë të parë emri i Thethit shfaqet i dokumentuar në defterin/fletoren e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha.

Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë.

Në atë kohë Thethi konsiderohej pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, Shala, Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit.

Më pas, në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me Bushatëlinjtë e Shkodrës. I pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur.

Kisha e Thethit u ndërtuar në vitin 1892 dhe ishte një nga ndërtimet e para në këtë vendbanim, ku banonte edhe famullitari i kishës. Famullitai i parë qënë At’Shtjefen Gjeçovi, i cili në vitin 1917 hapi edhe shkollën e parë në këtë vend duke qënë edhe mësues i fëmijëve, traditë që ndoqën edhe priftërinjtë e tjerë të kësaj kishe

Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike.

Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim hapen disa qendra të tjera turistike dhe ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht.

Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”

Pas ‘90–tës, pati shumë ndryshime dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.

Gojëdhënat mbi emrin

Origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë: nga emri “thep”, Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin: “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”.
Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse.

Ku të shëtisni?

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mulliri i Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.

Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindraturistë vendas e tëhuaj.

Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhet në 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.

Thethi, turizëm në çdo stinë.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese.

Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të ftohtë.

Burimet:

https://www.nytimes.com/2013/03/31/travel/balkan-promises-hiking-the-albanian-alp

qarkushkoder.gov.al