Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Qershor, 2025

“Kur rruga të vonon, ndonjëherë është jeta që të pret.”  Këtu është e vetmja herë ku me plot siguri mundesh me thanë që “e humba unë fluturimin” e jo “m’iku fluturimi”.

Një studente nga Britania e Madhe humbi fluturimin e saj për në Londër. Në rrethana të tjera, kjo do të kishte qenë vetëm një ditë me fat të keq. Por këtë herë, vonesa i shpëtoi jetën.

Bhoomi Chauhan, 28 vjeçe, me banim në Bristol dhe me rrënjë nga India perëndimore, ishte nisur për në aeroportin e Ahmedabadit, me synimin për të kapur fluturimin AI171 të kompanisë “Air India” drejt Gatwick, Londër. Por trafiku, ai tmerr i përditshëm në Indi sipas 28 vjeçqares, që rrallë i fal ata që kanë orare e bëri të mbërrijë vetëm 10 minuta me vonesë.

Ajo kishte bërë check-in online dhe kishte biletën në dorë, por kur mbërriti në portën e nisjes, dyert ishin mbyllur. Staff-i i kompanisë nuk e lejoi të hipte më në bord. Chauhan u largua nga aeroporti me zemër të thyer. Derisa pak orë më pas, zemra iu ndal përsëri nga tronditja.

Avioni i saj, ai që s’ia hapi derën, ishte rrëzuar menjëherë pas ngritjes. 241 jetë u shuan në bord, vetëm një pasagjer mbijetoi.

“Është një mrekulli për mua,” tha Chauhan për BBC-në, ende e tronditur, por falënderuese që ishte gjallë.

Ajo kishte udhëtuar rreth 200 kilometra nga qyteti Ankleshwar drejt aeroportit të Ahmedabadit. Nëse rruga do të ishte bosh, nëse ndonjë semafor nuk do të kishte ndezur dritën e kuqe sot nuk do të ishte gjallë për të treguar këtë histori.

Sipas autoriteteve indiane, avioni pësoi një defekt teknik menjëherë pas ngritjes dhe u rrëzua në periferi të qytetit. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa bilanci i viktimave mund të rritet për shkak të dëmeve në zonat e banuara ku avioni u përplas.

Një ndër aksidentet ajrore më të rënda në botë në vitet e fundit mbetet ai në Malazi.

Avioni i Malaysian Airlines, Fluturimi MH17, u nis nga Amsterdami për në Kuala Lumpur më 17 korrik 2014 dhe u rrëzua mbi Ukrainën lindore, ndërsa luftimet zhvilloheshin midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase. Të 298 pasagjerët në bord vdiqën.

Ndërkohë fluturimi MH370 i Malaysia Airlines është zhdukur gjatë rrugës nga Kuala Lumpur për në Pekin më 8 mars 2014. Mbetjet e Boeing 777 dhe 239 personave në bord nuk janë gjetur ende.

foto: https://www.firstpost.com/