Bota
3 Mars, 2025
“Kur qentë sëmuren, kafshojnë duart e atyre që i ushqyen”, është thënja që ra në vesh nga filmi “The Brutalist”, ku protagonisti kryesor Adrien Brody, dje fitoi çmimin aktori më i mirë në ceremoninë e çmimeve Oscars.
Sa për aktorin nami i të cilit vjen që nga filmi “The Pianist”, ku edhe për të kishte fituar çmimin Oscar, roli i tij sikur përherë përfshinë një gjuhë ndryshe nga ajo të cilën e flet aktori ose të paktën theksi.
The Brutalist, ka protagonist Lázló Tóth hugarez-hebrenj, i cili shpëton nga Holokausti dhe lundron në Shtetet e Bashkuara për të gjetur ëndrrën e tij amerikane.
Filmi përfshin 30 vjet në jetën e Tóth, një personazh imagjinar, i cili ndjeku stilin brutalist për të sfiduar normat shoqërore dhe përpjekjet e tij të pamëshirshme për tu integruar në një komunitet ku nuk ndihej i pranueshëm.
Por çka e bënë kaq të rëndësishëm këtë histori? A po flasim për një problem shoqëror që është po aq i theksuar edhe kudo dhe jo vetë në Amerikë: nënvlerësimi i imigrantëve?
Koncepti i ëndrrës amerikane u popullarizua për herë të parë nga shkrimtari James Truslow Adams në vitin 1931 , në kulmin e periudhës të njohur si depresioni i madh. Është një ideal që, në SHBA, të gjithë kanë lirinë dhe mundësinë për të bërë një jetë më të mirë, edhe Brady Corbet (regjisori i filmit), një amerikan vetë, e pranon këtë ide në filmin e tij tre orë e gjysmë.
“Miti amerikan është diçka që nuk zhveshët shpesh, veçanërisht në këtë fabul të ‘ardhjes në Amerikë’ që e kemi parë të ripërpunohet vazhdimisht. Pra, mendova se ishte e rëndësishme, edhe në terma narrativë, të propozoja një histori që fillon në një territor të njohur, por që përfundon në vende më të paeksploruara”, kishte thënë ai për BBC.
Kthehemi tek Toth – personazhi i filmit.
Në karrierën e tij të paraluftës, ai ishte një student i shkëlqyer i Bauhaus në Gjermani dhe një arkitekt i ndërtesave publike moderne në Budapest. Por shpresat e Toth-it për të ndërtuar një jetë të re në të ashtuquajturën tokën e mundësive ishin thjeshtë iluzione.
Pasi punon si punëtor, ai gjen një pozitë si arkitekt udhëheqës tek sipërmarrësi nga Pensilvani, Harrison Lee Van Buren (Guy Pearce), i cili e ngarkon atë të ndërtojë një monument madhështor, por Toth-it i bëhet gjithnjë e më e qartë se ai është një i huaj hebre në një shoqëri të bardhë protestante rurale.
Përpjekja e Toth për të ndërtuar diçka në jetën e tij në një botë të vrazhdë, është një metaforë për të shfaqur përpjekjet e të gjithë artistëve përfshirë edhe vetën.
Ai ishte marrë 7 vite me zhvillimin e filmit së bashku me partneren dhe shkrimtaren, Mona Fastvold edhe pse në fillim frymëzim për këtë film ishte lëvizja arkitekturore brutaliste, por të cilën u mundua ta përshtate me emigrantët.
“Arkitektura e Brutalizmin në vitet e 50-ta, kur njerëzit po ngrinin këto monumente, shumë njerëz donin që ato të shkatërroheshin menjëherë. Arkitektura brutaliste është përfaqësuese e diçkaje që njerëzit nuk e kuptojnë dhe që duan të shemben”.
Ky stil i arkitekturës , i cili filloi në MB në vitet 1950 dhe është i famshëm për strukturat e tij prej betoni, teksturat e përafërta dhe këndet gjeometrike.
László Toth, në këtë raport me arkitekturën e portretizojnë sikur ai derdh gjithë dhimbjen e tij nga Holokausti në përpjekjen për të realizuar një monument të madh që nuk e mirëpret atë në një tokë të re.
Regjisori i “The Brutalist”, Corbet, ka prejardhje hebrenje nga ana e nënës. Ai tregoi se filmin e bëri në nderim të arkitektëve që ishin kryesisht hebrenj të Evropës Qendrore dhe Lindore që dolën në shkollën Bauhaus përpara se nazistët ta mbyllnin atë në 1933.
Por në jetën reale nuk ekzistonte një Toth, që kishte mbijetuar Holokaustit dhe që arriti të merrej me arkitekturë.
Në vend të kësaj, László Toth bazohet në disa artistë kryesorë hebrenj të lëvizjes brutaliste, të cilët u larguan të gjithë nga Evropa para Luftës së Dytë Botërore dhe kështu nuk e përjetuan Holokaustin. Ato përfshijnë estonezin Louis Kahn (i cili emigroi në SHBA si fëmijë në vitet 1900) Mies van der Rohe, i cili erdhi në SHBA në vitet 1930 dhe, veçanërisht, Marcel Breuer me origjinë hungareze, i cili projektoi Muzeun Met Breuer në qytetin e Nju Jorkut.
Toth, edhe pse i etur për t’u asimiluar dhe për të pasur sukses, rezonon me Adrien Brody, i cili më parë fitoi një Oscar në 2003 për The Pianist, historia e një muzikanti hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Familja e tij ka përvojë të drejtpërdrejtë të arratisjes nga persekutimi – nëna e Brody është fotografja njujorkeze Sylvia Plachy, e lindur në Hungari nga një nënë hebreje dhe baba katolik.
