Fakte abstrakte
18 Nëntor, 2024
Kur dëgjon për ballo, mendja të shkon tek eventet aristokrate të Evropës së shekullit të 18-të.
Në atë organizim ku princesha me fustanin me korse dhe princat me paruke, kërcenin valset më të rafinuara të kohës.
Po ç’lidhje ka kjo me shqiptarët?
Asgjë, ama bash asgjë!
Përveç faktit që jemi talent të jashtëzakonshëm për të importuar gjëra që nuk i kemi pasur kurrë dhe t’i shpallim si “traditë autoktone”.
Ballot, në thelbin e tyre, kanë qenë një luks i rezervuar për elitat evropiane, monarkët, dhe aristokracinë.
Në vend të ballos, shqiptarët historikisht kanë pasur dasma madhështore dhe oda burrash ku vallëzohej, këndohej dhe diskutohej për hallet kombëtare.
Për një kohë të gjatë, identiteti ynë u fokusua në qëndresë dhe krenari, jo në dritat vezulluese dhe rrobat e rafinuara.
Ballo shqiptare, duket më shumë si një shpikje post-moderne, që tenton të përziejë historinë dhe luksin.
Themeluar nga dy përfaqësuese të bukurisë shqiptare, Diellza Kolgeci dhe Afërdita Paçarada, kjo ngjarje duket se ka huazuar idenë e një eventi madhështor nga aristokracia perëndimore.
Por për ta bërë pak alla shqiptarqe, organizatoret i kanë shtuar disa detaje kombëtare për t’i dhënë një frymë patriotike.
Në një farë mënyre, është sikur të bësh një tiramisu dhe mbi të hedhësh pak ajvar, për të krijuar përshtypje se është me ndikim shqiptar.
Por e vërteta është që shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë lidhje të madhe me “kulturën e ballove”.
Këto evente janë thjesht një formë tjetër e modernizimit të përzier me kiç, që tentojnë të na bëjnë të ndihemi pjesë e botës glamuroze.
Kostumet tradicionale shqiptare janë përdorur jo për të mbrojtur vlerat autentike, por për të krijuar një dekor që të duket bukur në foto.
Në këtë “ballo” mund të takosh personazhe me një xhubletë autentike të stërgjyshes, jelek ari nga allaturkat e mamasë, ose me një fustan të zi Versace me një shqiponjë të stampuar.
Në vend të sinfonive do të dëgjos Asim Gashin, ndërsa do të shikosh bashkëatdhetarët nga diaspora ku secili tenton të zë video nga më të mirat për të kapur momente mburrërie, teksa këndohet Hajredin Pasha.
Në një analizë Ballo Shqiptare është pasqyrë e asaj çfarë na bën shqiptarë modern, një përzierje mes dashurisë për të huajën dhe dëshirës për t’u dukur autentik.
Ballon Shqiptare nuk është as “kombëtare” dhe as “tradicionale”.
Është thjesht një përpjekje e shqiptarëve për të qenë pjesë e një narrative globale, duke përzier të shkuarën dhe të tashmen në një mënyrë që shpesh ngjan si një karikaturë e vetvetes.
Megjithatë, si shumë organizime të tjera në kulturën tonë, ajo është kthyer në një burim argëtimi.
Dhe le ta pranojmë, njëzëri.
Çfarë është më shqiptare sesa të gjesh humor edhe në atë që pretendon të jetë serioze?.