Live Stories from Prishtina

LIVE

31 Tetor, 2024

Tash e disa ditë, mediat ndërkombëtare raportojnë për mundësinë e një miqësie të ngushtë mes miliarderit amerikan Elon Musk dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas mediave, dy personazhet e përfolur kanë mbajtur korrespodenca të rregullta telefonike, të cilat, sipas ekspertëve të sigurisë në Amerikë, nuk janë në favor të gjeopolitikës amerikane.

Musk, i cili zotëron kompaninë e prodhimit të makinave elektrike Tesla dhe platformën e mediave sociale X, zotëron gjithashtu kompaninë komerciale të fluturimeve hapësinore SpaceX, që ka kontrata të shumta me qeverinë amerikane, përfshirë projekte për Departamentin e Mbrojtjes dhe agjencinë amerikane të hapësirës NASA.

Një pjesë e kësaj pune është aq konfidenciale, sa SHBA-ja i ka dhënë miliarderit çertifikatë sigurie të nivelit të lartë për shkak të njohurive të tij për programet, duke ngritur shqetësime mes disave se informacionet dhe aftësitë tepër sekrete të Shteteve të Bashkuara mund të jenë në rrezik.

Prandaj, këto shqetësime, sipas gazetës The Wall Street Journal, mund të jenë të justifikueshme.

Burime që kanë shpërfaqur komunikimin e Musk me Putinin kanë thënë se presidenti rus dyshohet se i ka kërkuar miliarderit amerikan të mos aktivizonte mbi Tajvanin, si një favor për Kinën, shërbimin Starlink, një filial i kompanisë SpaceX që ofron lidhje satelitore interneti.

“Unë mendoj se kjo duhet të hetohet,” tha administratori i NASA-s, Bill Nelson, në Samitin Botëror të Ekonomisë ‘Semafor’.

“Nuk e di nëse kjo histori është e vërtetë,” u shpreh Nelson, duke shtuar se nëse këto pretendime qëndrojnë, do të ishte shqetësuese, veçanërisht për NASA-n, për Departamentin e Mbrojtjes dhe për disa nga agjencitë e zbulimit.

Elon Musk ka mohuar më parë të ketë patur telefonata të shpeshta me presidentin rus, Putin.

Në vitin 2022, Musk tha se kishte folur me udhëheqësin rus vetëm një herë, por gazeta The Wall Street Journal pohon të kundërtën dhe thotë se që nga ajo kohë ka pasur biseda të përsëritura.

Musk nuk ka komentuar dhe nuk i është përgjigjur në rrjetin X artikullit të gazetës.

Edhe Rusia gjithashtu ka mohuar se ka pasur biseda të shpeshta mes presidentit Putin dhe zotit Musk.

Pentagoni gjithashtu ka refuzuar të komentojë pretendimet e mediave dhe deri më tani ka refuzuar të përgënjeshtrojë apo të konfirmojë akuzat.

Ish-zyrtarët e zbulimit amerikan që folën për mediat amerikane, thanë se bisedat e raportuara, të konfirmuara nga organizata të tjera amerikane të lajmeve duke cituar burimet e tyre konfidenciale, ngrenë pikëpyetje të rëndësishme.

“Nuk ka dyshim se Rusia po kultivon shumë kanale të mundshme ndikimi në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera perëndimore,” tha Paul Pillar, një ish-oficer i lartë i CIA-s dhe tani mësimdhënës në Universitetin Georgetown.

“Rusia do ta konsideronte një sipërmarrës të pasur dhe me ndikim si zotin Musk, si një kanal potencialisht shumë të dobishëm, dhe kështu një marrëdhënie që ia vlen të ushqehet,” tha ai.