Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Shtator, 2025

Në mesin e një muhabeti, kur na dalin prej radarit njerëzit që i kemi në fokus, thojnë: “Ku u avullu ky apo kjo?”. Kur nuk e keni pa për një kohë të gjatë një person ose nuk kemi dëgju kaherë për të, thojmë: “Krejt u avullu ky njeri”. Por në Japoni, kur thua për dikë “u avullua”, e kanë tamam në kuptimin e fjalës “avullim”.

Japonia është e njohur për shërbime të pazakonta, nga mundësia për të marrë me “qira një familje të rreme”, deri te ofertat e veçanta që shpesh marrin vëmendjen e mediave perëndimore. Por ekziston një fenomen shumë më i errët, i quajtur johatsu (蒸発), që fjalë për fjalë do të thotë “avullim”: njerëz që zgjedhin të zhduken nga jeta e tyre dhe të fillojnë nga e para, duke mos lënë asnjë gjurmë.

Ky fenomen, megjithëse i rrallë, mbart histori të rënda, plot dhimbje dhe mister. Familjet shpesh mbeten të shkatërruara, pa asnjë shpjegim pse një i afërm vendosi të largohej përgjithmonë.

Si lindi johatsu?

Termi nisi të përdorej në vitet 1960, kur disa njerëz preferonin të zhdukeshin për të shmangur stigmën e divorcit. Më vonë, në vitet 1990, krizat ekonomike e shtuan fenomenin: persona të zhytur në borxhe apo biznesmenë të dështuar “avulloheshin” për t’i shpëtuar përgjegjësive.

Arsyet ndryshojnë, nga presioni social e puna rraskapitëse, deri te dhuna në familje apo borxhet e mëdha. Edhe pse statistikat shpesh mbivlerësohen, dihet se shumica e rasteve të johatsu lidhen me tentativa për të shpëtuar nga situata të padurueshme.

Sa shpesh ndodh?

Në Japoni raportohen mesatarisht 80,000 – 100,000 persona të zhdukur çdo vit. Nga këta, 95% gjenden brenda një kohe të shkurtër. Rastet e vërteta të johatsu mbeten një pjesë shumë e vogël, megjithëse të mjaftueshme për të krijuar industri të tëra që ndihmojnë ata që duan të zhduken.

“Night Movers”: kompanitë që ndihmojnë të zhdukesh

Këtu hyjnë në lojë yonige-ya, ose të ashtuquajturit “Night Movers”, kompani që ndihmojnë njerëzit të ikin nga jeta e tyre në heshtje. Shërbimet e tyre variojnë nga transporti i fshehtë i natës, deri te ndihma ligjore dhe këshillimi. Shumë prej klientëve janë viktima të dhunës në familje apo persona të ngarkuar me borxhe.

Çmimet lëvizin mes 50,000 dhe 300,000 yen, në varësi të distancës dhe shërbimeve të nevojshme. Për sa kohë që nuk ndihmojnë në krime, aktiviteti i tyre konsiderohet i ligjshëm.

Johatsu në epokën digjitale

Në një vend ku çdo lëvizje administrative, shëndetësore apo fiskale regjistrohet me kujdes, duket e vështirë të fshihesh. Por ligjet e rrepta të privatësisë u pamundësojnë familjeve apo hetuesve të kenë qasje në të dhënat e personit të zhdukur. Kështu, pavarësisht teknologjisë, johatsu vazhdon të ekzistojë edhe sot.

Një dokumentar i publikuar së fundi, më 2024-ën, i titulluar “Johatsu: Into Thin Air”, shfaq njerëz të profesioneve të ndryshme me probleme të ndryshme, teksa kërkojnë për “night movers”.