Live Stories from Prishtina

LIVE

12 Tetor, 2026

Pak njerëz kanë dëgjuar për emrin e Gjon Milit. Nga Shqipëria në Amerikë, Gjon Mili u bë një nga fotografët më eksperimentues të shekullit XX.

Në studion e tij në New York, Gjon Mili kishte një pllakë me mbishkrimin: “E gjithë bota është një aparat fotografik! Ju lutem, që të paraqiteni këndshëm”.

Gjon Mili (1904 – 1984) lindi në Shqipëri dhe u rrit në Rumani, përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar inxhinieri elektrike në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Pas studimeve, punoi në kompaninë Westinghouse, ku u mor me aplikimin e teknikave të ndriçimit në fotografi.

Në vitin 1937, Mili u takua me Harold Edgertonin, profesor në MIT, i cili kishte zhvilluar teknologjinë e ndriçimit stroboskopik. Kjo teknikë përdorte ndezje të shpejta të dritës për të kapur lëvizjet që syri i njeriut mezi arrin t’i dallojë. I frymëzuar nga kjo mundësi, Mili nisi të eksperimentonte me të dhe realizoi një sesion fotografik për revistën LIFE, duke fotografuar tenistin Bobby Riggs gjatë lojës. Imazhet, të realizuara me një ekspozim prej 1/100.000 të sekondës, shënuan fillimin e një bashkëpunimi të gjatë me revistën dhe të një dekade eksperimentesh me fotografinë stroboskopike.

Përmes kësaj teknike, Mili arriti të kapte lëvizjet më të shpejta me qartësi të jashtëzakonshme, duke krijuar përshtypjen se koha ndalej dhe çdo detaj mbetej i dukshëm.

Ai realizoi disa filma të shkurtër, ku kryefjala e tij ishin muzikanti i jazz-it Dave Brubeck dhe artisti Pablo Picasso.

Një nga fotografitë më të njohura të Milit paraqet Picasson duke vizatuar në ajër me një dritë të vogël, seria legjendare “Picasso Drawing with Light” (1949). Përmes ekspozimit të gjatë dhe lëvizjes së kontrolluar të dritës, artisti krijon forma ndriçuese që duken sikur notojnë në hapësirë.

Gjatë karrierës së tij, Mili fotografoi disa prej figurave më të njohura të artit dhe kulturës së shekullit XX, mes tyre këngëtaren e jazz-it Billie Holiday, sopranoja Jennie Tourel, stilistin Christian Dior dhe aktorin e valltarin Gene Kelly.

Fotografitë e tij të Billie Holiday dokumentuan një nga zërat më të veçantë të xhazit, të njohur për interpretimet e këngëve si Strange Fruit dhe God Bless the Child.

Ndërsa në një nga studimet e tij stroboskopike, Mili fotografoi Gene Kellyn gjatë një kërcimi, duke kapur disa faza të lëvizjes së trupit në një imazh të vetëm. Rezultati e bën të dukshme dinamikën e vallëzimit dhe tregon potencialin e fotografisë për të kapur atë që zakonisht kalon pa u vënë re.
Mili i përkiste një brezi fotografësh që përjetuan ndryshime të mëdha teknologjike dhe artistike. Ai e shihte këtë periudhë si një mundësi për të eksperimentuar dhe për të kërkuar forma të reja të shprehjes.

Megjithatë, pas rreth një dekade pune intensive me dritën stroboskopike, teknika nisi t’i dukej e kufizuar. Ai kishte eksploruar shumë nga mundësitë e saj dhe nuk dëshironte të përsëriste veten. Kështu, gradualisht iu drejtua edhe mënyrave të tjera të fotografimit, pa e braktisur plotësisht teknikën që e kishte bërë të njohur.

Më 12 qershor të këtij viti në Muzeun Kombëtarë të Fotografisë “Marubi” në Shkodër, u hapë ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” kuruar nga Howard Greenberg.

Kjo ekspozitë prezanton për herë të parë në Shqipëri një përzgjedhje origjinale fotografish dhe materialesh arkivore të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili dhe u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.

Ekspozita do jetë e hapur deri me 18 tetor 2026 (në këto momente që po shkruajmë, i bie se do jetë e hapur deri në fund të kësaj jave).

Për Gjon Milin, fotografia ishte një mënyrë për ta parë botën ndryshe dhe për të kapur momente që syri i njeriut nuk arrin t’i dallojë.

 

Gjon Mili/ The LIFE Picture Collection / Shutterstock

Gjon Mili/ The LIFE Picture Collection / Shutterstock