Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Mars, 2025

Politikat e administratës Trump, si në atë të brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, kanë tensionuar aleancat perëndimore, veçanërisht ndërsa Uashingtoni dhe Moska ndjekin një afrimitet të papritur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kjo u pa qartë në deklaratën e ligjvënësit francez Raphael Glucksmann, anëtar i Parlamentit Evropian, i cili ka kërkuar që SHBA-ja t’ia kthejë Francës “Statujën e Lirisë”.

Glucksmann sugjeroi që monumenti t’i kthehej Parisit, meqë Uashingtoni ka “zgjedhur të rreshtohet në anën e tiranëve.”

Monumenti, një dhuratë për SHBA-në nga Franca në fund të shekullit të 19-të, ishte menduar për të festuar lirinë dhe demokracinë.

Komentet e politikanit francez pasqyrojnë frustrimin e tij me politikat e administratës Trump, veçanërisht afrimin e SHBA-së me presidentin rus Putin, që ka përkeqësuar marrëdhëniet transatlantike.

Ndërsa Uashingtoni dhe Moska afrohen gjithnjë e më shumë në dukje për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës në Ukrainë—evropianët si ligjëvënësi francez, Glucksmann e shohin këtë si një tradhti ndaj vlerave demokratike.

Thirrja e tij për rikthimin e statujës në vendin e origjinës nuk kaloi pa u komentuar në Uashington.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e hodhi poshtë këtë ide.

“Këshilla ime për atë politikan të nivelit të ulët francez do të ishte t’i kujtoj atij se është vetëm falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që francezët nuk flasin gjermanisht sot,” tha ajo në një konferencë për shtyp, duke iu referuar rolit të Amerikës në çlirimin e Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në ditët e fundit, zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë Leavitt, kanë insistuar që aleatët e Uashingtonit duhet të tregojnë publikisht mirënjohjen e tyre ndaj SHBA-së.

Gjatë një debati të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, nënpresidenti J.D. Vance i tërhoqi vëmendjen presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke i thënë të jetë “mirënjohës” për mbështetjen amerikane në luftën e Kievit me Rusinë.

Por francezi Glucksmann nuk zmbrapset.

“Askush, natyrisht, nuk do të vijë të vjedhë Statujën e Lirisë. Statuja është e juaja. Por ajo që simbolizon i përket të gjithëve,” tha ai. “Dhe nëse bota e lirë nuk është më prioritet për qeverinë tuaj, atëherë ne do ta mbajmë gjallë këtë pishtar këtu në Evropë.”

Statuja e Lirisë është bërë një pikë kyçe në debatin mbi emigracionin në SHBA, pasi kreu i emigracionit, Ken Cuccinelli, e rishkroi interpretimin e mbishkrimit të famshëm mbi monumentin, një poezi e Emma Lazarus.

Ai tha se vargjet e Lazarusit i referoheshin “njerëzve që vinin nga Evropa” dhe se Amerika kërkon të pranojë migrantë “që mund të qëndrojnë në këmbët e tyre.”

Sipas UNESCO-s, krahu kulturor i OKB-së, Statuja e Lirisë, e cila është në listën e saj të Trashëgimisë Botërore, tani është pronë e SHBA-së.

Historia e “Statujës së Lirisë”

Origjina e statujës, siç mund ta kujtojë Glucksmann Uashingtonit, është thellësisht e lidhur me tokën franceze.

Monumenti u konceptua nga Edouard de Laboulaye, një historian që admironte kushtetutën amerikane dhe festonte fitoren e Veriut kundër Konfederatës skllavopronare në vitin 1865.

Po atë vit, ai propozoi krijimin e një monumenti për lirinë, simbol i miqësisë dhe lidhjeve të qëndrueshme midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara. Franca kishte mbështetur kolonistët amerikanë kundër sundimit britanik gjatë Luftës së Pavarësisë (1775-1783).

Laboulaye e diskutoi këtë ide me Frédéric-Auguste Bartholdi, një skulptor francez, i cili e mori përsipër projektin, kishte vizion një figurë madhështore që do të përfundonte në kohë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës në 1876.

Por pengesat financiare dhe politike e vonuan projektin, veçanërisht Lufta Franko-Prusiane, që devijoi burimet dhe vëmendjen.

Megjithatë, Laboulaye, i cili nuk ishte fans i sundimit autokratik të Napoleonit III, nuk u dorëzua.

Deri në vitin 1875, ai kishte zhvilluar një plan për mbledhjen e fondeve: francezët do të financonin statujën, ndërsa amerikanët do të ndërtonin piedestalin e saj. Në fund, shumica e financimit erdhi jo nga qeveritë, por nga qytetarët e zakonshëm francezë.

Ndërtimi dhe transportimi i monumentit

Megjithëse realizimi i planit nuk ishte i lehtë, të dyja palët bënë pjesën e tyre në një përpjekje që zgjati një dekadë.

Në vitin 1884, francezët përfunduan ndërtimin e statujës falë fondeve të mbledhura dhe punës së skulptorëve të tyre.

“Skulptura masive qëndronte mbi çatitë e Parisit, në pritje të udhëtimit të saj përtej oqeanit,” thuhet në faqen zyrtare të Statue of Liberty-Ellis Island Foundation.

Gjatë procesit të ndërtimit, Bartholdi bashkëpunoi edhe me Alexandre Gustave Eiffel, një tjetër ikonë franceze e artit, i cili më vonë do të krijonte kullën që mban emrin e tij në Paris. Eiffel ndihmoi për të zgjidhur çështjet strukturore të dizajnimit të një skulpture të tillë kolosale prej bakri.

Kur francezët përfunduan punën e tyre, amerikanët kishin zgjedhur arkitektin Richard Morris Hunt për të dizajnuar piedestalin e granitit. U deshën edhe dy vite të tjera para se statuja të zbulohej zyrtarisht.

Statuja, e ndarë në 350 pjesë individuale dhe e paketuar në 214 arka, mbërriti në portin e New York-it në vitin 1885.

Edhe vendndodhja e saj i detyrohet Francës.

Bartholdi këmbënguli që ajo të vendosej në Ishullin Bedloe (më vonë riemëruar Ishulli i Lirisë), duke siguruar që të ishte pamja e parë për anijet që hynin në portin e New York.

Njësoj si vizioni; Statuja e Lirisë erdhi si një Kolos i Ri i Rodosit, duke udhëhequr anijet që mbërrinin me dritën e saj simbolike. Si statuja e lashtë greke e Heliosit, ajo do të qëndronte në hyrje të një porti, duke mirëpritur udhëtarët në një tokë të re.

Më në fund, më 28 tetor 1886, presidenti amerikan Grover Cleveland udhëhoqi ceremoninë e inaugurimit para një turme të madhe spektatorësh.

Statuja dhe poezia e Lazarusit nga viti 1883, e gdhendur në bronz në 1903, kanë shërbyer si një shenjë shprese për miliona emigrantë që hynin në SHBA përmes portit të Nju Jorkut.

Fjalët e saj simbolizojnë shpresën:

“Më jepni lodhjen tuaj, varfërin tuaj, barrën tuaja, që të maerrnj frymë të lirë…”