Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Shtator, 2025

Vdekja e 15-vjeçarit, ku prej lajmeve u kuptua se ishte vëllai i këngëtarit Besart Kelmendi, tashmë figurë publike pas fitores në Big Brother Albania, i gjeti të gjunjëzuar para një dhimbjeje që nuk njeh përshkrim, para një plage që as suksesi, as publiku nuk mund ta lehtësojnë.

Ngjarja e rëndë që ndodhi të premten dhe varrimi i tij të shtunën, duhej të ishin momente reflektimi, heshtjeje e respekti. Por ajo çfarë ndodhi aty, nxori në pah një plagë tjetër të shoqërisë sonë: shfrytëzimin e dhimbjes për shikueshmëri.

Në vend që dhimbja të ndahej me përqafime e lot, në shumë duar u panë telefona të ngritur. Kamera që nuk pushuan së xhiruari, gati sikur ceremonia të ishte një shfaqje, një episod i radhës për t’u konsumuar në TikTok. Njerëz që nuk qëndronin aty për të ngushëlluar, por për të kapur “momentin viral”.

Ky fenomen është më i frikshëm se sa duket në pamje të parë. Ai tregon se si bota digjitale po na konsumon nga brenda, duke na bërë ta shohim realitetin jo më si përvojë njerëzore, por si përmbajtje për t’u shpërndarë. Një varrim nuk është më varrim, një humbje nuk është më humbje, është një “event” që duhet të regjistrohet, që të tjerët ta shohin, të komentojnë, të klikojnë.

Këtu lind pyetja e madhe: A po humbim aftësinë për të ndjerë vërtet?
A kemi arritur në një pikë ku dhimbja e tjetrit nuk na prek më si bashkëndjesi, por vetëm si material që mund të na sjellë pak famë kalimtare?

Sociologët shpesh e kanë quajtur këtë epokë “shoqëria e spektaklit”, ku gjithçka nga gëzimi te tragjedia shndërrohet në imazh, në përmbajtje për konsum. Por kur ky spektakël hyn në hapësira kaq të shenjta si vdekja, kur dhimbja e një familjeje përdoret për përfitime digjitale, atëherë kemi të bëjmë me një prishje të thellë të etikës njerëzore.

Nëse ndalemi dhe e mendojmë, momentet më të rëndësishme të jetës; lindja, dashuria, humbja janë ato që kërkojnë më shumë intimitet. Ato nuk janë për skenë, nuk janë për publik, por për ata që ndihen dhe vuajnë bashkë. Mirëpo, sot duket sikur ky intimitet është shuar: çdo përjetim kthehet në një “story”, çdo lot në një “clip”, çdo ceremoni në një “trend”.

Ky rast duhet të na zgjojë. Jo vetëm për respektin ndaj një fëmije që iku shumë herët, jo vetëm për dhimbjen e një familjeje që meriton qetësi, por për të parë se ku po shkojmë si shoqëri. A kemi mbetur thjesht konsumues të imazheve, apo ende jemi qenie me ndjeshmëri e respekt?

Dhimbja nuk është dekor. Vdekja nuk është shfaqje. Asnjë klikim nuk e justifikon shkatërrimin e asaj që na bën njerëzorë: aftësisë për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në heshtje, me respekt e dhembshuri të vërtetë.

Sepse tragjedia nuk është skenë dhe nderimi për të vdekurin nuk bëhet me “views”, por me heshtje.