Live Stories from Prishtina

LIVE

14 Janar, 2025

Garë më të ashpër se ajo për kryeministër në Kosovë, padyshim nuk ka. Por, një garë jozyrtare mund të jetë interesante për ju lexues.

Gara për politikanin më me stil në fushatë.

Për zgjedhjet e 9 shkurtit, për të fituar zemrat e votuesve, kandidatët jo vetëm që po garojnë me fjalime politike e program, por edhe përmes veshjeve që i bëjnë të duken si “kryeministri ideal në ardhje”.

Kush e ka kombinimin më të mirë të kostumit, pse jo edhe aksesorëve, në këtë raund zgjedhjesh?

Le t’i analizojmë pak me syrin e një stilisti komik!

Albin Kurti – Minimalist, me stilin e një “rebeli”në kostum!

Nëse moda e fushatës do të kishte një filozofi, ajo e Albin Kurtit do të ishte e ngjajshme me diskursin e tij të njohur, “Më pak është më shumë.”

Kryeministri aktual, njëherësh kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes edhe në këto zgjedhje, na paraqitet në tubime me një stil të thjeshtë por me tendencë serioze.

Një kostum që shpërfaqë atë politikanin që pretendon se ka ardhur për të reformuar gjithçka.

Kostumet e tij, zakonisht janë të errëta dhe model klasik. Nuk mund të identifikohet si ekstravagant, por kollaren e ka të lidhur me precizitet.

Teper klasik, asnjëherë avanturist në stil.

Mandej, ai bajagi model është shfaqë edhe së fundi, në foto sesionin e brendit knus.co.

Zotri Kurti, në ndonjë jetë tjetër ndoshta keni qenë edhe agjent sekret a po nuk ju duket i tillë?

I thjeshtë, por ndonjëherë do të donim ta shihnim pak me më shumë ngjyra.

Mbase me një shall të kuq për të përfaqësuar më mirë partin e tij, Vetëvendosjen!

Bedri Hamza – Bankieri i lartë në fushatë!

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, me stilin e tij, duket sapo ka dalë nga një takim i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me një kostum të përshtatshëm dhe shumë zyrtar, por që guxon të eksperimentoj brenda nuancave të errëta.

Kollaret, bëhen pjesë e stilit, atëherë kur paraqitet në foltore, sidomos në tubimet masive.

Kur zbret në zonat rurale, e karakterizon përvjelja e mëngëve.

Stili i veshjes është një refleksion real për ata që e shohin seriozitetin si formën më të mirë të komunikimit politik.

Mbase një distinktiv me simbolin e UÇK-së, vendosur në sako, do ta nxirrte në pah edhe më shumë trashëgiminë politike të subjektit që përfaqëson.

 

Lumir Abdixhiku – Elegant e pak “City Boy”

Kreu i LDK-së duket sikur ka ardhur nga një fotosesion për një revistë mode.

Kostumet e tij janë gjithmonë në linjë, pak “slim fit”, duket se janë qepur posaçërisht për të.

Nëse ka një kandidat që mund të fitojë titullin e “kryeministrit më fotogjenik”, padyshim është Lumiri.

Pavarësisht moshës së re, nuk shfaqet guximtar në eksplorim stilesh, vendosë t’i qëndroj besnik nuancave të errëta, që padyshim shpërfaqin idenë e një lideri të pjekur dhe serioz.

Gjithmonë i vëmendshëm, nuk harron asnjëherë të vendosë në sakon e tij simbolin që përfaqëson shtetësinë, flamurin e Kosovës.

Patjetër që di ta tregoj edhe djalin jashtë politikës. Paraqitja e tij në emisionin Canape, së bashku me gruan e tij. Tregojnë babin e përkushtuar, të gatshëm për ndryshime dhe ndihmës.

 

Ramush Harasinaj – Stili i liderit në teren

Është ai politikani tradicional, që nuk ka nevojë për shumë aksesorë.

Kostumet e tij, nuk dallojnë nga ato që në shumicën e rasteve veshë në konferencat për shtyp.

Aksesorët? Shpeshherë mungojnë, sepse figura burrërore nuk e lejon të bëj kompromis me dekorimet.

Gjithnjë me kostume klasike të errëta dhe këmishë të bardhë, ashtu siç e do zakoni.

Praktik dhe pa shumë bujë, por ndonjëherë do të donim ta shihnim me një aksesor që i tregon se edhe burrat e fortë mund të eksperimentojnë me stilin.

Në fund të ditës, të gjithë kandidatët kanë stilin e tyre unik që pasqyron personalitetin dhe qëllimet politike.

Ajo çfarë kemi parë që nga nisja e fushatës, stilin i veshjes nuk e dallon shumë ndonjërin nga kandidatët.

Asesi nuk thyejnë stilin tradicional të politikanëve aktiv.

Aq më pak të shfaqin guxim, për detaje që mund të bëjnë diferencën.

Por, pavarësisht se cilët kandidatë janë më me stil, një gjë mbetet e qartë. Moda në fushatë, ashtu si politika, është çështje shijesh dhe bindjesh personale.

Dikush preferon elegancën urbane të Lumir Abdixhikut, të tjerët mund të gjejnë inspirim te Albin Kurti, ndërsa tradicionalistët do të drejtojnë sytë kah Ramush Haradinajt ose kah formaliteti i këndshëm i Bedri Hamzës.

Por nëse ekziston një fitues i padiskutueshëm në këtë garë, ai është qytetari.

Derisa kandidatët garojnë për pushtet pse jo edhe përmes stilit të veshjes, janë votuesit ata që do të vendosin se kush e ka “kostumin politik” më të përshtatshëm për kryeministër.

Pra, kandidat për kryeministër, mbani këmishat e kostumet gati, sepse më 9 shkurt nuk votohet vetëm për liderin që duket mirë në fushatë, por për atë që do të përfaqësojë me stil gjithë vendin.

Ups….. Mos të harrojmë, moda mund të jetë kalimtare, por politikat e mira janë gjithmonë në trend!