Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Qershor, 2025

Ky tekst eksploron ndikimin e mungesës së njohurive historike në mënyrën se si mediat ndërkombëtare raportojnë për vende me kontekst të lartë kulturor si Kosova. Artikulli përdorë raste konkrete për të treguar si gjuha e përgjithshme, klishetë dhe thjeshtësimet mund të prodhojnë narrativë të gabuar ose të dëmshme.

Nga një distancë komode në Londër apo Nju Jork, historia e një vendi duket si një detaj. Por kur ajo mungon në rrëfim, fjala humbet kuptimin dhe Kosova është shembulli më i qartë i kësaj.

Në raportimet ndërkombëtare për vendet e vogla, të ndërlikuara apo “gjeopolitikisht interesante”, shumë herë hasim fraza të tilla si:
“Tensionet janë rritur në rajon”, “Një shfaqje e re e nacionalizmit”,
“Shpresa për integrim perëndimor po zbehet”, apo “Ballkani mbetet një fuçi baruti”.

Në pamje të parë, duken si fjali të mençura. Por në thelb, ato janë futkotizma, fjalë pa trup, të ndërtuara për të mbushur hapësirën midis një titulli dramatik dhe një paragrafi me të dhëna të pakta. Këto klishe përdoren shpesh kur gazetari nuk ka njohuri për kontekstin historik, kulturor apo shoqëror të vendit për të cilin raporton.

Po duhet, secili duhet të dijë për historinë. Historia nuk është luks, është domosdoshmëri.

Të shkruash për një vend pa e kuptuar historinë e tij është si të përpiqesh të përkthesh një poezi pa ditur gjuhën dhe në rastin e vendeve si Kosova, historia nuk është vetëm sfond, është përbërësi kryesor i çdo ngjarjeje aktuale. Marrëveshjet me Serbinë, zhvillimet politike, protestat, madje edhe gjuhët e përdorura në një deklaratë, të gjitha janë të ngarkuara me domethënie që rrjedhin nga e kaluara.

Kur raportimi anashkalon këtë, ndodh që lexuesit ndërkombëtarë të mbeten me përshtypjen se “këto kombe janë të mbërthyera në urrejtje të përjetshme”, një ide e gabuar, por që përhapet lehtë në mungesë të njohjes së kontekstit, ne duam drejtësi për të kaluarën.

Kosova është një vend që shpesh përdoret si sfond për tregime gjeopolitike: ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, midis Serbisë dhe Perëndimit, midis Islamit dhe Krishterizmit. Por rrallë trajtohet si subjekt në vetvete, me zërin, historinë dhe kompleksitetin e saj.

Për shembull, shumë raporte për Vetëvendosjen në vitin 2021 e paraqitën fitoren e saj si një “tronditje” ose “ngritje e befasishme e një populisti”. Por në realitet, ky subjekt kishte më shumë se një dekadë aktivizëm, një histori protestash dhe një bazë votuesish që e identifikonin si përfaqësues të një brezi të ri politik. Pa njohuri për këtë sfond, raportimet ndërkombëtare e ngatërruan përmbajtjen me formën.

Futja e historisë në tekst jo për zbukurim, por për ndriçim?
Gazetaria që i kushton vëmendje kontekstit nuk është më e gjatë, është më e vërtetë. Të thuash, për shembull, se një tension në veri të Kosovës është “një tjetër shfaqje e konfliktit etnik” është keqinformim, nëse nuk i referohesh specifikisht historisë së Marrëveshjes së Brukselit, rolit të Listës Serbe dhe ndërhyrjes së strukturave paralele.

Këto nuk janë “detaje të kota” janë thelbi i problemit dhe lexuesi ndërkombëtar ka të drejtë të informohet me përgjegjësi.

Më mirë pa raportim, sesa raportim të zbrazët
Kur nuk njeh historinë e një vendi, më mirë hesht se sa të shpikësh. Gazetaria ndërkombëtare nuk është vetëm transmetim faktesh, është përkthim kulturor dhe për këtë duhet përgatitje, njohuri, ndershmëri dhe përulësi.

Kosova, si shumë vende të tjera me kontekst të lartë, nuk ka nevojë për simpati të shtirur, ka nevojë për vëmendje reale.

Tek kush po i lexoni lajmet për konfliktet e fundit në botë?