Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Tetor, 2024

Ishte një nga premtimet kryesore në fushatën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në secilin tubim elektoral, kryeministri Kurti e pati përmendur themelimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran.

Derisa këtij mandati po i vjen fundi, asnjëri nga projektet strategjike në planprogramin e Qeverisë Kurti 2 nuk është realizuar deri tani.

Por sot, nga Washington DC, është lajmëruar ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, i cili ka paralajmëruar se së shpejti Banka Zhvillimore do të bëhet realitet.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, ministri Murati ka treguar për takimet që ka zhvilluar në kuadër të vizitës së tij në SHBA.

Njëra nga temat e diskutuara me Bankën Botërore, sipas Muratit, ishte edhe mundësia e mbështetjes nga ana e tyre për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës.

“Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kapë vlerën rreth 50 milionë euro,” tha ministri Murati.

Sipas tij, Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë si energjia e ripërtëritshme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia, etj.

“Qeveri për zhvillim të qëndrueshëm” është fraza me të cilën ministri Murati e përmbyll njoftimin e tij për takimet në kuadër të vizitës triditore në SHBA.