Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Nëntor, 2025

Ndonjëherë, ne shqiptarët kemi një talent të lindur: së pari e krijojmë heroin dhe pastaj, krejt papritur, na vjen një dëshirë e çuditshme ta provojmë sa fort duron. Ashtu, për sport. Natyrisht, gjithmonë me emocione të sinqerta, ndonjëherë edhe tepër të sinqerta.

Në “Fadil Vokrri”, aty ku pritej një mbrëmje futbolli, në vend se t’i thoshim “mirë se erdhe në shtëpi” njërit nga futbollistëve që më shumë se një dekadë ka valëvitur flamurin tonë kudo, një pjesë e publikut vendosi të bëj prova: sa dhembin mushkërit nëse i jep zor t’u bërtit.

Dhe kush u bë objekt i këtij eksperimenti? Natyrisht, Granit Xhaka, djali që ka shënuar gola, ka qarë, ka luftuar, besa besaa ju ka përgjigjur Serbisë për ne kur ka pasë nevojë, ka mbrojtur Kosovën e shqiptarët në mënyrën si dinë vetëm njerëzit që e duan me shpirt një vend që s’kanë jetuar kurrë aty.

Arsyeja? Një deklaratë e interpretuar ashtu siç ka dashur secili ta interpretoj për vete, e rrotulluar, e bërë supë, u bë sherr i mbrëmjes.

Ironikisht, as Hajdari, as Avdullahu nuk ishin as në stol. Selektori Franco Foda i kishte liruar që të mos rrezikonin kartonët për plejofin e marsit. Të dy më pas u shfaqën në një foto të publikuar nga Hajdari me mbishkrimin “ne jemi një”, të shpërndarë edhe nga vetë Xhaka.

Po ja, djemtë paskan qenë një, vetëm tifozeria qenka ndalur te “një dëgjoj, dy interpretoj, tre fishkëllej”.

Xhaka u tregua përsëri i madh:

“Dhemb. Sidomos në shtëpi.”

E ne, me sinqeritetin tonë tipik, u ndjemë keq (t’paktën kështu po zgjedhi të besoj unë, që u ndjemë keq)… por vetëm pasi e pamë reagimin e tij.

Në fund, nuk u lëndua topi, por njeriu i cili njëjtë vazhdoi edhe pas fishkëllimave, por ecja e tij në fushë foli boll për emocionet e tij. E dimë, Xhaka ai është mësuar me reagime në stadiume më të vështira, ku 60 mijë njerëz kanë fishkëllu kundër tij.

Bile e tha: “Është në rregull për mua”, duke kthyer kujtesën te koha sa ishte lojtar i Arsenalit.

Të lënduar jemi ne bre, që gjithmonë e keqja e vetes jemi. Sepse u pamë në pasqyrë, pak impulsivë, pak të nxehtë, shumë emocionalë dhe ndonjëherë të paduruar t’i dëgjojmë gjërat deri në fund.

Në historinë tonë të futbollit, ajo mbrëmje nuk do të hyjë si dita e barazimit 1:1 me Zvicrën.

Jo, ajo do të kujtohet si nata kur një pjesë e publikut harroi për një moment se Granit Xhaka s’është “ani, kapiteni i Zvicrës”, por djaloshi që ka ndjerë Kosovën si shtëpi, ndoshta më shumë se ata që e fishkëllyen.

Ironia?

Ai mbetet i njëjti krenar për prejardhjen, i pjekur në reagim dhe fatkeqësisht për ne, shumë më i qetë sesa zemrat tona ballkanike.