Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Maj, 2025

Po, ne jetojmë në një epokë të nxitimit, ku koha e lirë nuk trajtohet si një nevojë, por si një luks.

Është një kulturë e përkrahur nga kompanitë që shpërblejnë punonjësit që punojnë pa pushim, edhe nëse kjo ndodh në dëm të mirëqenies së tyre.

Meqenëse nuk kemi një hulumtim në Kosovë se çysh e shohin punën punëtorët, po e bëjmë një nismë prej një analize në tregun e punës në SHBA, që ta keni parasysh se çka po flasim.

Fatkeqësisht, shumë prej atyre që e përqafojnë këtë mentalitet rrezikojnë një burnout (shpenzim i mirëqënies fizike dhe mentale). Sipas hulumtimit më të fundit të SHRM (society for human resource management), 44% e punonjësve në SHBA ndihen sikur e kanë harxhuar në vendin e punës, 45% ndihen “emocionalisht të shteruar”, ndërsa 51% e mbyllin ditën duke u ndjerë “të rraskapitur”.

Pyetja është kur dihet nëse një person është “më i dalluari i zyrës” dhe kur është “i varur nga puna”.

Po t’i mendosh sipërfaqësisht duken njësoj, dy karakteret shfaqin përkushtim dhe punë të palodhur por në thelb janë tërësisht tjera.

Më poshtë janë pesë pyetje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse jeni një person që keni përformancë të dalluar në punë apo jeni person i varur nga puna. Nëse ke përgjigje ndaj këtyre pyetjeve, atëherë miku im, ti e di përgjigjen e pyetjes së këtij artikulli.

1. Cili është qëndrimi yt ndaj punës?

Personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë e kanë pjesë të karakterit që gjithmonë të mësojnë diçka të re. Ata i shohin sfidat si mundësi për të mësuar dhe për të rritur kapacitetet e tyre. Janë të hapur ndaj kritikave që ndihmojnë në ndërtimin e tyre, vendosin qëllime realiste dhe festojnë arritjet e vogla. Gabimet i konsiderojnë pjesë të procesit të të nxënit.

Ndërsa personat që janë të varur nga puna shpesh kanë mentalitetin e një perfeksionisti. Vendosin objektiva të paarritshëm dhe janë tejet kritikë ndaj vetes. Për ta, vetëvlerësimi varet nga arritjet profesionale. Nëse e analizoni çdo detaj me obsesion dhe asgjë nuk ju duket mjaftueshëm e mirë, ndoshta jeni të varur nga puna.

2. Çfarë ju shtynë përpara në punë?

Personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë shtyhen nga dëshira për të shkëlqyer dhe për të krijuar punë me kuptim që përputhet me vlerat e tyre. Ata janë strategjikë, të përqendruar dhe të orientuar drejt rezultateve. Një studim nga McKinsey tregon se personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë janë 400% më produktivë sesa punonjësit mesatarë. Nëse në një ekip ke punëtorë që përformojnë lartë, ata mund të rrisin efektivitetin e kolegëve deri në 15%.

Në anën tjetër, punëdashësit apo personat e varur nga puna motivohen nga frika e dështimit. Në vend që të fokusohen në cilësinë e punës, ata angazhohen vetëm për të mbetur të zënë. Për ta, “i/e zënë” është një medalje nderi. Ata kërkojnë validim të jashtëm dhe matin vlerën e tyre me sasinë e orëve të kaluara në takime apo përmbushje afatesh pa ndalim.

3. A të mbush energji puna apo të rraskapit?

Personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë edhe kur punojnë me orar të zgjatur, ndihen të ngazëllyer për fillimin e ditës së punës dhe sfidat që i presin. Ata dinë të eliminojnë detyrat që nuk përputhen me qëllimet e tyre strategjike.

Ndërsa personat e varur nga puna rrallë vendosin kufij të shëndetshëm dhe shpesh angazhohen në detyra të parëndësishme vetëm për t’u ndjerë se janë produktiv.

Shpesh, puna për ta bëhet një mënyrë për të shmangur ndjenja të vështira si ankthi apo mungesa e vetëbesimit. Nëse kjo gjendje nuk adresohet, mund të çojë në depresion apo shpenzim të thellë. Në raste të tilla, ndihma profesionale është e domosdoshme për të kuptuar arsyet e vërteta dhe për të rivendosur ekuilibrin.

4. A është ritmi yt i punës i qëndrueshëm?

Personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë dinë të bëjnë prioritizim të pamëshirshëm. Ata vlerësojnë listën e detyrave dhe dallojnë qartë se çfarë ka rëndësi dhe çfarë mund të pres.

Ndërsa për personat e varur nga puna, çdo detyrë është urgjente. Ata nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes asaj që është me të vërtetë e rëndësishme dhe asaj që nuk është. Për ta, çdo projekt është “jetik”.

5. Si e matin suksesin?

Personat që shfaqin përherë performancë të lartë në punë matin suksesin sipas ndikimit që krijojnë, jo sipas orëve të kaluara në zyrë. Ata kërkojnë perspektiva të reja dhe balancojnë objektivat afatshkurtra dhe afatgjata për të arritur rezultate të jashtëzakonshme. Ndërkohë, shumë kompani ende shpërblejnë “aktivitetin” mbi rezultatin.

Personat e varur nga puna matin suksesin me kohën dhe përpjekjen, jo me cilësinë. Ata e lidhin veten aq shumë me punën, sa që nuk mund të shkëputen prej saj. Nëse suksesi vjen në dëm të marrëdhënieve dhe shëndetit, ka shumë gjasa që jeni në zonën e rrezikshme të punëvarësisë.

Punëvarësia shpesh maskohet si përkushtim dhe pasion. Por vetëm sepse punon shumë, nuk do të thotë se je edhe produktiv. Në vend që të punosh fort, përpiqu të punosh me mençuri. Vetëm kështu do të arrish rezultate më të mira pa u shpenzuar gjatë rrugës.