N’Kosovë
28 Korrik, 2025
A keni dëgjuar ndonjëherë për një festival që nuk ka skenë, por ka mure? Ku revolta nuk bërtitet me megafon, por spërkatet me ngjyrë? Ku arti nuk varet në galeri, por të rrëmben nëpër rrugë? “Meeting of Styles” është pikërisht ky lloj festivali, një lëvizje që ngjallë qytete të harruara, i jep zë mureve dhe frymë njerëzve.
E lindur nga hiri i ndërtesave të braktisura në Wiesbaden, Gjermani, në mesin e viteve ‘90, kjo lëvizje nisi si një formë rezistence urbane kundër prishjes së zonës Schlachthof. Grafitistët e shndërruan atë hapësirë në një Graffiti Hall of Fame, një tempull të lirë të artit të rrugës. Aty ku autoritetet donin ta fshinin identitetin, artistët e përjetësuan me ngjyra dhe kështu lindi “Meeting of Styles” (MOS), një rrjet global i artistëve që nuk njeh kufij, burokraci apo heshtje.
Që nga viti 2002, MOS ka realizuar mbi 400 evente në katër kontinente, duke lidhur mijëra artistë dhe qindra mijëra spektatorë. Kjo nuk është vetëm një festë e grafitit, por një platformë për komunikim kulturor, për bashkëpunim, për rezistencë kreative. Arti që promovon MOS nuk i përket vetëm klasikes, është i çuditshëm, poetik, elektrik, gjithmonë i gjallë.
Është interesante që rrugëtimi i festivalit nëpër botë është cikël që nuk ndalet, në të gjitha vendet ku ky festival udhëton mbahet çdo të premte me vazhdim të fundjavës.
Dhe këtë verë, MOS kthehet në Kosovë. Nga 8 deri më 10 gusht, Prishtina do të vloj me rreth 100 artistë grafiti, 20 muzikantë, live DJ sets dhe aktivitete për fëmijë. Po, për fëmijë sepse arti i rrugës nuk është i frikshëm. Ai është shkëndijë edukimi, kurajo dhe frymëzim.
Kosova e ka veçanërisht të rëndësishëm këtë festival. Në një vend ku fjalët shpesh janë të mbyllura si pasojë e të kaluarës represive kulturore, grafiti bëhet mjeti më i ndershëm i shprehjes. Ai nuk pret leje.
Kjo u tregua më së miri në vitin 2017, kur edicioni i parë i MOS në Kosovë, i vetmi në Ballkanin Perëndimor nuk u lejua të orgnaizohet nga Komuna e Prishtinës. Por artistët nuk u ndalën. Ata dolën në Rrugën B edhe kur i ndaloi policia. Rezultati? U shpall “Best First Edition” në botë nga vetë rrjeti ndërkombëtar i MOS.
Agon Xhelilaj, drejtori i festivalit në Kosovë, thotë se tema e këtij viti, “The Chosen Cause”, është lënë enkas e hapur: që secili artist të zgjedhë vetë arsyen e tij për të reaguar, për të treguar, për të kujtuar.
Për dallim nga vitet tjera, “Meeting of Style” këtë vit nuk ka marrë aq sa i duhet një festivali mbështetje financiare nga komuna dhe ministria e Kulturës. Pse çka është kjo mungesë e vëmendjes institucionale ndaj artit urban dhe kulturës alternative në Kosovë?
MOS nuk është vetëm ngjarje. Është qëndrim. Është artisti që i thotë shoqërisë: “Unë e zgjedh çka dua me thanë. Nuk më censuron kush.”
Dhe në një Kosovë që akoma po ndërton zërin e saj, kjo është më shumë se art, është nevojë.