N’Kosovë
15 Nëntor, 2025
Kosova ka jetuar një natë të paharrueshme futbolli, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha në historinë e saj sportive.
E shtuna mbrëma në “Stožice” të Lubjanës u kthye në skenë triumfi për “Dardanët”, të cilët me fitore 2:0 ndaj Sllovenisë siguruan pjesëmarrjen në playoff-in e Kampionatit Botëror 2026, që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Asllani ndez shkëndijën
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm në minutën e gjashtë, Fisnik Asllani befasoi gjithë stadiumin duke realizuar një supergol një goditje e zgjuar zhargas që e la të pafuqishëm portierin Jan Oblak. Epërsia e hershme i dha Kosovës qetësi dhe kontroll të plotë të lojës.
Sllovenia mbeti me një lojtar më pak
Nga minuta e 53-të, Sllovenia mbeti me dhjetë futbollistë. Petar Stojanoviq, i cili u ndëshkua dy herë me të verdhë brenda pak minutash për duelet e forta me Dion Gallapenin, u përjashtua nga loja. Ky moment i dha Kosovës avantazh të madh taktik.
Autogoli që mbylli ndeshjen
Në minutën e 64-t, mbrojtësi Zhan Karniçnik devijoi topin në portën e vet, duke e dërguar rezultatin në 2:0 dhe duke vulosur fitoren që i dhuroi Kosovës biletën për playoff. Me këtë rezultat, “Dardanët” u ngjitën në kuotën e 10 pikëve, tri më pak se Zvicra, por të mjaftueshme për pozitën e dytë të garantuar.
Mbështetje e jashtëzakonshme nga “Dardanët”
Atmosfera në “Stožice” ishte e zjarrtë, me mijëra tifozë të Kosovës që e kthyen stadiumin slloven në një mini-“Fadil Vokrri”. Edhe mediat vendase u habitën nga numri i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë, duke e cilësuar skenën “impresionuese dhe shqetësuese” për vendasit.
Franco Foda: “Jam krenar, kjo është punë ekipore”
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, nuk e fshehu lumturinë:
“Jam i lumtur për ekipin. Kanë luajtur të bashkuar dhe ashtu si jemi përgatitur. Falënderoj tifozët, atmosfera ishte fantastike,” deklaroi ai.
Rrahmani: “Secili ka meritat, nga i pari te i fundit”
Kapiteni Amir Rrahmani mbajti një fjalim emocional:
“Kemi pasur shumë sakrifica. Çdo futbollist ka meritat e veta, edhe ai që nuk ka luajtur asnjë minutë. Tani do të përgatitemi për marsin dhe do të synojmë më të mirën.”
Agim Ademi: “Kjo është historia”
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi suksesin si historik:
“Kjo është historia. Çka do që ndodh më pas, ky është kapaku. Unë shpresoj dhe besoj.”
Çka ndodh tani? Rruga drejt Botërorit
Kosova tashmë është zyrtarisht në playoff.
Më 20 nëntor, në Zurich hidhet shorti ku do të përcaktohen kundërshtarët e gjysmëfinales. Kosova renditet në vazon e tretë, ndërsa duhet të kalojë dy ndeshje në mars për të prekur ëndrrën e madhe: kualifikimin e parë në histori në Kampionatin Botëror.
Ndeshja e fundit e grupit luhet më 18 nëntor në “Fadil Vokrri” ndaj Zvicrës, por fati i grupit është i qartë – Kosova e ka siguruar pozitën e dytë.
