Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Korrik, 2025

A e keni gjetur ndonjëherë veten në një hapësirë ​​publike, duke menduar se çfarë po bëjnë njerëzit e rëndomtë që kalojnë andej? Apo a keni sajuar histori të ndërlikuara në kokën tuaj për njerëzit që i shihni në rrugë kur jeni duke dëgjuar muzikë? Pastaj a ke menduar situatat personale dhe i ke vënë këta njerëz të panjohur në të njëjtën situatë duke imagjinuar veprimin, përgjigjen, sjelljen e tyre?

E pranoj, kjo është diçka që e bëj shpesh (zakonisht kur jam duke e pirë kafën e mëngjesit në Metro, midis asaj ndjenjës kur qumështi i kafesë djegë qiellzën tënde). Kjo ka të ngjarë të jetë edhe për shkak të dëshirës time për të shkruar, por kam menduar gjithmonë se të gjithë kemi një kuriozitet të lindur për historitë e të tjerëve.

Mund të përfshihemi kaq lehtë në dramën e jetës sonë, sa ndonjëherë mund të jetë një lehtësim kur kuptojmë se nuk jemi gjë tjetër veçse një njeri i huaj / një kalimtar ditorë për të tjerët. Por këtë e fusim në funksion vetëm në ato momente kur na ka ndodhur diçka, kur po kalojmë nëpër diçka apo kur kemi bërë diçka që mendojmë se nuk është mirë (mendojmë*).

Kohët e fundit, e zbulova “sonder-in”! Jo “Sonder” tek salla e sporteve në Prishtinë por për fenomenin me këtë emër. Pastaj mendova se si kushdo që ja paska vendosur emrin “sonder-it”, paska menduar për gjithë kalimtarët e tij/saj në jetë. Sa shumë gjurmë paska lënë, sa që ja ka vendosur emrin restaurantit.

“Sonder”, ka kuptimin se si çdo kalimtar po jeton një jetë aq të gjallë dhe komplekse sa e jotja.

Koncepti sillet rreth idesë se mund të ketë “një histori epike që vazhdon në mënyrë të padukshme rreth teje, si një fole milingonash që shtrihet thellë nën tokë, si kalime të hollësishme drejt mijëra jetëve të tjera që nuk do ta dish kurrë se ekzistojnë, në të cilat mund të shfaqesh vetëm një herë, si një person shtesë që pi kafe në sfond, si një grumbull veturash trafiku që kalojnë në autostradë”.

Tani, nuk do ta gjeni këtë përkufizim në një fjalor standard, përkundrazi, por mund ta gjeni në “Fjalorin e pikëllimeve të errëta”, të shkruar nga autori nga Minnesota, John Koenig, i cili shpiku qindra fjalë për të përshkruar ndjenja specifike, për të cilat nuk ka fjalë në anglisht. Të qenit në gjendje t’i japim gjuhë mënyrës se si ndihemi mund të jetë e fuqishme, duke na lejuar të përshkruajmë të papërshkrueshmen.

Sonder na jep një fjalë për lidhje të veçantë që mund të ketë një ndikim të thellë në mirëqenien tonë. Nëse keni përjetuar ndonjëherë ankth ose depresion, shfaqet “Sonder” dhe gjithçka fillon të ketë kuptim.

Nëse kokën tuaj e mundon gjithmonë me shqetësime dhe po imagjinoni gjithçka që mund të shkoj keq, të ndani një moment për të “prekur butonin ‘ndal’” të mendimeve, mund t’u ndihmoj të shikoni të tjerët dhe të realizoni që “në film ka edhe karaktere të tjera”, e cila do të ju hapë një perspektivë të re.

Kjo mund t’ju nxjerrë nga spiralja juaj e shqetësimeve edhe nëse duhet të ndodh për një moment të shkurtër. Përshembull, nëse keni humor të keq dhe ndiheni të izoluar, të qenit në një hapësirë ​​publike dhe të dalloni shkëndija ngjashmërie midis jush dhe kalimtarëve mund t’u ndihmoj të shijoni tapetin e jetës (dhe rolin tuaj të rëndësishëm në të).

Sonderi gjithashtu mund të inkurajoj dhembshurinë, pasi të qenit më i sinkronizuar me ata që takoni dhe të ndryshoni perspektivën tuaj drejt të tyreve, mund t’u ndihmoj të zhvilloni empati dhe një ndjenjë kujdesi. 

Ka studime të shumta mbi dhembshurinë që tregojnë aspektin pozitiv në shëndetin tonë mendor deri te mënyra se si përmirëson shëndetin fizik duke larguar stresin dhe vetminë, siç shihet edhe në hulumtimin e vitit 2021 të botuar në “Translational Psychiatry”.

Ndjenja që na dhuron shtytjen që na nevojitet për të folur me kalimtarët herë pas here vjen nga aftësia e fenomenit “sonder”. Sipas një studimi të botuar në “Social Psychological and Personality Science”, personat që krijojnë relacione me persona të huaj/të sapo njoftuar, kanë nivele më të larta të kënaqësisë në jetë.

Si mund ta përqafojmë pak më shumë “sonderin” në jetën tonë dhe të korrim përfitimet?

Shkruani shënime për njerëzit që njoftoni.

Edhe pse më shumë duket si cilësi e shkrimtarëve të trillimeve, të shënosh për njerëz si për personazhe mund të jetë ushtrim argëtues për këdo. Kur jeni në një hapësirë ​​publike, lejoni sytë dhe mendjen tuaj të enden tek ata përreth jush. Merrni një stilolaps dhe letër dhe mbani shënime rreth historive të imagjinuara të tyre. Si mund të quhen? Cilat mund të jenë pasionet e tyre? Me çfarë mund të jenë duke luftuar? Lëreni imagjinatën tuaj të lirë dhe zhytuni në historinë e dikujt tjetër për një kohë.

Kurioziteti për njerëzit me të cilët ndërvepron, të ndihmon të angazhohesh plotësisht me jetën dhe në thelb, sonder ka të bëjë me ndjekjen e këtij kurioziteti. Imagjinoni jetën që jetojnë njerëzit pranë të cilëve kaloni; Sa mund ta kenë të ngjashëm me tuajën? Si mund të jenë të ndryshëm? Pyeteni baristin tuaj se si po i shkon dita, komplimentojeni për këpucët e bukura që ka veshur personi që ke ngjitur tek ulësja e autobusit dhe zbuloni nëse personi në park po e shijon librin e tij aq sa ju e shijuat kur e lexuat.

Një paralajmërim i vogël këtu është se jo të gjithë do të ndihen shumë rehat duke folur me dikë që nuk e kanë takuar. Pra, nëse merrni një përgjigje të shkurtër ose asnjë përgjigje, vazhdoni dhe dijeni se nuk është asgjë personale.

Vini në dyshim gjykimet tuaja

Ne të gjithë kemi paragjykime dhe bindje për të tjerët edhe nëse ato janë kryesisht të pavetëdijshme, të cilën lehtë mund ta shfaqim për një person që nuk dimë asgjë për të. Nëse mendoni që jeni duke hyrë në ujëra të tilla, përpiquni ta pyesni veten butësisht. A ka ndonjë provë që gjykimi juaj është i saktë? Çfarë alternative mund të imagjinoni?

Përfitoni nga dhembshuria

Pyeteni veten nëse do t’i trajtonit të tjerët në të njëjtën mënyrë siç e trajtoni veten. Kujtojini vetes vendin tuaj në këtë rrjet kompleks lidhjesh dhe sa e rëndësishme është të kujdeseni për veten në mënyrë që të mund t’i mbështesni të tjerët.

Në fund të fundit, “sonder” shërben si një kujtesë se edhe momentet më të shkurtra të lidhjes kanë fuqi – një buzëqeshje ndaj një të panjohuri, një monedhë e hedhur atij këngëtarit të muzikës pop dhe se të gjithë kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur. Pavarësisht nëse je aktor kryesor apo aktor me rol dytësor, ky film nuk do të ishte i njëjtë pa ty.