Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Tetor, 2024

Edhe një takim, pa rezultat në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kështu së paku ka thënë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me homologun e tij serb, Petar Petkoviq.

Takimi u mbajt në Bruksel, derisa timonin e drejtonte i dërguari i BE-së, Mirislav Lajçak.

Palët në dialog, pas këtij takimi thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

Bislimi tha se tema kyçe ishte zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

Por sipas tij, në këtë drejtim nuk pati rezultate.

Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.

Sipas tij, Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Edhe në Bruksel, i dërguari i Qeverisë, Besnik Bislimi, ripërsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit në shtator 2023.

Ndërsa lidhur me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse Marrëveshja nënshkruhet.