Fakte abstrakte
26 Shtator, 2025
Një film australian horror është ndryshuar përpara shfaqjes në kinematë kineze, duke zëvendësuar një çift homoseksual me një çift heteroseksual.
Filmi “Together”, me protagonistë Dave Franco dhe Alison Brie, është shfaqur në disa kinema të përzgjedhura në Kinë, por shikuesit vunë re se disa skena ishin modifikuar, pasi pamjet origjinale u shpërndanë gjerësisht në internet.
Premiera e filmit ishte parashikuar të bëhej javën e kaluar, por deri më tani nuk është shfaqur në të gjitha kinematë kineze. Ndërkohë, distributori global i filmit, Neon, e ka dënuar këtë ndërhyrje, duke deklaruar se nuk e kanë “miratuar këtë editim të paautorizuar… dhe kërkojnë ndalimin e shpërndarjes së tij”.
Filmi, i shkruar dhe drejtuar nga regjisori australian Michael Shanks, jep historinë e një çifti që shpërngulet në fshat dhe përballet me një forcë misterioze që prek trupin, jetën dhe marrëdhënien e tyre. Ai u shfaq premierë në janar në Sundance Film Festival, ndërsa në SHBA dhe Australi u publikua në korrik, duke marrë komente kryesisht pozitive dhe një vlerësim prej 90% në Rotten Tomatoes.
Në Kinë, shumë shikues reaguan pasi panë se një skenë me një çift homoseksual ishte modifikuar me inteligjencë artificiale, duke zëvendësuar fytyrën e një burri me atë të një gruaje dhe duke hequr disa referenca ndaj marrëdhënies mes të njëjtës gjini.
Edhe pse censurimi i përmbajtjes LGBT në Kinë nuk është diçka e re, përdorimi i IA-së në këtë rast ka nxitur më shumë kritika. Platforma kineze e kritikës së filmit Douban shkroi:
“Ky nuk është më vetëm një rast i prerjes së skenave, ky është shtrembërim dhe keqinterpretim.”
Një tjetër kritik tha: “Jo vetëm që ndryshuan historinë, por edhe mosrespektuan orientimin seksual të aktorit. Është e neveritshme.”
Vetëm një ditë më parë, Neon kritikoi distributorin kinez Hishow, duke theksuar:
“Neon nuk e miraton editimin e paautorizuar të filmit nga Hishow dhe ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të shpërndarjes së këtij versioni të ndryshuar.”
Ndërkohë, duket se vendi po ashpërson qasjen ndaj përmbajtjes që lidhet me komunitetin LGBT. Raportohet se të paktën 30 autorë të letërsisë erotike homoseksuale, shumica gra në të 20-at e tyre, janë arrestuar kohët e fundit në Kinë.