Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Prill, 2026

Askush nuk pret të zgjohet një ditë dhe ta shoh se jeta e tij/saj nuk ndihet/duket si e vetje/tyre. Se puna që bënë, njerëzit që do, do t’i duash gjithmonë. Askush nuk të siguron se ëmbëlsirën që e doje si fëmijë, kur të rritësh mund të mos e duash dhe këtu nuk ka asgjë për tu frikësuar.

Mund të kesh punën, lidhjen, rutinën, versionin e jetës që ke menduar se po e ndërton dhe prapë të zgjohesh një mëngjes me ndjesinë se diçka brenda saj ka rënë dhe nuk është si më parë.

Si ato situatat që fillon t’i kuptosh ngadale se çka po ndodhë…

Ka edhe kërkime që e mbështesin këtë ndjenjë. Ekonomistët David Blanchflower dhe Andrew Oswald kanë analizuar të dhëna nga dhjetëra vende dhe kanë zbuluar se lumturia shpesh ndjek një kurbë në formë U-je, ku pika më e ulët bie diku në mesin e jetës. Për shumë njerëz, kjo ndodh në fillim ose në mes të të 40-ave.

Kjo nuk do të thotë se po e jeton jetën gabim. Do të thotë se ke arritur në një fazë ku premtimet e vjetra nuk funksionojnë më.

Kur je më i ri, është e lehtë të besosh se gjithçka me rëndësi është ende përpara. Merr punën, gjej personin e duhur, ndërto diçka të qëndrueshme, dhe pastaj do ndihesh i qetë. Por sapo arrin disa nga këto, e ardhmja nuk duket më si një fletë e bardhë, por më shumë si një periudhë e gjatë mirëmbajtjeje. Ky ndryshim mund të të godasë më fort sesa e pret.

Pra, çfarë bën kur ndodhesh në këtë pikë?

4 këshilla për ta kaluar këtë periudhë të ulët të lumturisë

Së pari, ndalo së trajtuari këtë si një problem produktiviteti. Kjo nuk është diçka që rregullohet me zakone më të mira apo me një orar më të rreptë.

Është diçka më e thellë, më ekzistenciale. Psikologu James Hollis e quan këtë periudhë “kalimi i mesit”, një kohë kur bindjet që dikur i jepnin strukturë jetës fillojnë të humbasin forcën. Problemi është se ende nuk ke diçka të re që t’i zëvendësojë. Ky boshllëk mund të jetë i parehatshëm, por në fakt, ky është vetë qëllimi i kësaj faze.

Pastaj, shiko me sinqeritet pritshmëritë që ke mbajtur me vete. Shumë nga pakënaqësia në këtë fazë vjen nga krahasimi i jetës që ke tani me atë që kishe menduar se do kishe deri në këtë pikë. Hendeku mes pritshmërive dhe realitetit mund të jetë i ashpër, sidomos nëse ke bërë “gjithçka siç duhet”. Paratë, statusi dhe arritjet mbajnë një peshë emocionale vetëm deri në një pikë.

Më pas, lësho idenë që çdo gjë që bën duhet të të çojë diku. Filozofi Kieran Setiya ka shkruar për këtë ndjesi në mesin e të 30-ave, edhe pse kishte një karrierë të suksesshme dhe një jetë të qëndrueshme. Ajo që e ndihmoi nuk ishte një tjetër arritje, por kthimi tek aktivitetet pa një qëllim final. Të ecësh pa destinacion, të kalosh kohë me njerëzit pa një plan, të vëresh gjërat pa u përpjekur t’i kthesh në “progres”.

Kjo duket e thjeshtë, por bie ndesh me mënyrën si shumica e njerëzve janë mësuar të mendojnë për suksesin.

Së fundi, ngushto horizontin kohor. Kur gjithçka duket jashtë vendit, të menduarit në plan afatgjatë mund ta përkeqësojë ndjesinë. Nuk të duhet një plan 10-vjeçar kur je në një pikë të ulët. Të duhet diçka e përballueshme sot. Një bisedë që nuk ndihet e sforcuar. Një orë ku nuk po përpiqesh të optimizosh jetën tënde. Një vendim që nuk bazohet në atë që mendoje se do ishe deri tani.

Pikat e ulëta kanë një mënyrë për të të bërë të ndjesh sikur gjithçka është e përhershme. Në realitet, asgjë nuk është.

Shpesh, ato janë thjesht një tranzicion momenti kur versioni i vjetër i jetës nuk të përshtatet më, dhe ai i riu ende nuk ka marrë formë të plotë. Është e pakëndshme dhe çorientuese, por do të thotë që diçka po ndryshon, edhe nëse ende nuk ke një histori të qartë për ta shpjeguar, më beso që nuk të duhet një e tillë tani.