Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Gusht, 2025

Nëse folim për kometën, fillimisht do ta përshkruaja definicionin për të: “një trup qiellor që lë pas një gjurmë drite ndërsa lëviz”, nëse thellohem më shumë do të përshkruaja që përmbajtja e kometës është “akull dhe pluhur” që zhvillon një ose më shumë bishta kur është afër diellit, e cila pastaj e bën të duket sikur po lëshon dritë.

Kometa së fundi do të lë gjurmë drite, duke hapur bibliotekën e parë feministe në Kosovë.

Më 27 gusht, Organizata Qika, në Lagjen e Artistëve në Ulpianë, ka hapë bibliotekën Kometë. 

Në ditën e hapjes, të ftuarve ju është bo thirrje që të sjellin nga një libër me vete edhe në vazhdim mirëpresin libra të tillë.

Librat mund të jenë për barazi gjinore, drejtësi sociale, të drejta t’njeriut, mendim kritik ose thjeshtë diçka që mendoni se ka kuptim për komunitetin.

Kjo bibliotekë është për studentë, të rinj, të reja, për krejt ata që kanë qejf me lexu e me mësu bashkë. Krejt kjo sepse ideatoret e kësaj librarie duan që dijen ta shpërndajnë falas dhe se ajo është për të gjithë.

Në një shoqëri ku hapësirat publike për lexim shpesh reduktohen në institucione formale e të ftohta, lindja e një librarie si Kometa sjellë një frymë tjetër. Një hapësirë ku fjala “bashkë” merr kuptim të plotë: bashkë për të ndarë dijen, për të kultivuar mendimin kritik dhe për të vendosur barazinë në qendër të diskutimit.

Kometa është libraria e parë feministe në Kosovë, një fakt që e kthen këtë hapje në një pikë referimi kulturor e shoqëror. Feministe, jo vetëm etiketë e ngushtë ideologjike, por si orientim drejt drejtësisë sociale, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut. Në këtë kuptim, çdo libër i vendosur aty bëhet gurthemeli i një biblioteke që nuk matet me numra, por me ndikimin që ka tek ata që e shfrytëzojnë.

Thirrja për të sjellë një libër në ditën e hapjes nuk ishte një gjest i zakonshëm, ishte një formë pjesëmarrjeje, një mënyrë për ta ndërtuar këtë hapësirë jo nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart, si pasqyrë e solidaritetit.

Për shoqërinë tonë, kjo është një shenjë emancipimi. Është dëshmi se të rinjtë nuk presin që ndryshimi të vijë vetëm nga institucionet; ata krijojnë vetë hapësira ku mund të ndodhin biseda ndryshe, lexime ndryshe, mendime ndryshe. Në një kohë kur fjala “feminizëm” ende ngjallë kundërshti apo keqkuptime, Kometa e sjellë atë në formën më të fuqishme: si ftesë për të lexuar, për të mësuar dhe për të menduar.

Nëse kometat në qiell lë pas gjurmë drite të përkohshme, kjo Kometë synon të lë një gjurmë të qëndrueshme në kulturën e leximit dhe në ndërgjegjen kolektive. Ndoshta ky është roli më i rëndësishëm i saj: të na kujtoj se ndryshimi nis nga një libër, nga një faqe, nga një ide e vogël që, e ndarë me të tjerët, bëhet dritë.