Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Tetor, 2024

Operacioni i koduar “007” rezultoi me sekuestrimin e 10 kilogramëve substancë narkotike, të dyshuar si kokainë.

Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren, ndaloi një veturë në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, nën dyshimin për trafikim me substanca narkotike.

Operacioni i koduar “007” arriti të kapë 10 kilogramë substancë narkotike të llojit kokainë.

Vozitësi i veturës, shtetas kosovar me inicialet Z.J., është i dyshuar në këtë rast, ku vlera e substancës narkotike të gjetur nga policia kap shumën prej 450 mijë eurosh.

Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar, në komunën e Graçanicës.

Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 10 kilogramë kokainë, një veturë, 1,445 euro, 8,970 dinarë, dy telefona celularë dhe 17 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.

Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është hapur rast për vepër penale.