N’Kosovë
10 Dhjetor, 2024
Për arsye shqetësuese:
Në një prej të ashtuquajturve “reality show”, i cili, sipas përqindjeve të publikuara online, shikohet nga një shumicë e madhe pa filtrim moshe (përveç një kodi të vendosur për kontroll moshe), vihet në pah niveli i njohurive të gjeneratës së re (përjashtim bëjnë disa), e cila dominon aty me praninë e saj, për personalitete të shquara dhe fytyra publike.
Kur them personalitete, flas për mosnjohjen e figurave si: Ismail Qemali, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha (ndoshta me vështirësi), Sali Berisha, Adem Demaçi, John F. Kennedy, At Zef Pllumi (ndoshta këtu po kërkoj shumë).
Pra, çfarë duam të vëmë në fokus është fenomeni! Personat e rëndësishëm në këtë program (VIP-at) janë individë që shoqërohen edhe me njerëz të tjerë që ndajnë interesat e njëjta, për të cilët nuk vlejnë diskutime apo debate për tema që shqetësojnë shoqërinë tonë, për temat që rrisin vetëdijen, për temat që kanë lënë gjurmë historike dhe kanë ndikuar në shtetndërtimin tonë dhe në filozofinë e kombit tonë.
Pata lexuar njëherë diçka që thoshte: nëse do të dish gjendejn e një shteti, shiko mediat e atij vendi. Kosova sot: pa gazeta të përditshme të shkruara dhe me programe që prodhojnë figura të cilat sjellin shikueshmëri me “paditurinë e tyre”.
Në fillim, kur sheh një përmbajtje të tillë, të vijnë ndër mend disa video në rrjete sociale në Amerikë, ku i pyesnin njerëzit për shtetet evropiane, për presidentët e vendit të tyre, dhe përgjigjja ishte “nuk e di”.
Tash, i dashur lexues, i kujt është faji? I testit PISA? I sistemit? I mos vetë-interesimit të nxënësve/studentëve? Apo i çlirimit pas luftës, ku askujt pas periudhës së vështirë nuk i interesoi përveç knaqësive momentale, mos interesim për t’i treguar gjeneratave për pavarësinë, marrëveshjen e Rambujes, për Ukshin Hotin për filozofinë e tij!
Frika më e madhe është kjo: a është ky një fenomen në rritje? A ka ardh kjo si pasojë e mungesës së dokumenteve për historinë e shkruar? Çka?