Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Nëntor, 2024

Në skenën politike të Kosovës, ku miqësitë politike rrëshqasin më shumë se sa një rrugë me akull, tashmë është konfirmuar një tjetër përplasje që na shtynë të analizojmë më thellë kuptimin e fjalës “guxim.”

Lista “Guxo”, dikur flamuri krenar i Presidentes Vjosa Osmani, sot duket më shumë si një dyqan, ku secili kërkon të marrë atë që i intereson dhe largohet pa kthyer kokën pas.

Deputetët, Haxhi Avdyli, Jeta Statovci, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të cilët dikur ishin sinonim i mbështetjes për Osmanin, tani duket se kanë gjetur busullën e re që drejtohet kah kryeministri Albin Kurti.

Krisja në marrëdhëniet e tyre u shpërfaq edhe më shumë dje, gjatë fjalimit vjetor të Presidentes në Kuvendin e Kosovës.

Në vend se të duartrokisnin lideren që i solli deri te listat fituese, kolegët e saj preferuan të ndjekin shembullin e atyre që mungojnë në ahengun familjar, por postojnë foto nga një kafene tjetër.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila dikur frymëzonte “guxim” në çdo fjalim dhe adresim të saj para deputetëve, nuk ju bëri përshtypje, bashkëudhëtarëve të saj në politikë.

Deputetët e saj ishin më të zënë duke shpërndarë lavdet e Kurtit për projekt-buxhetin e vitit 2025.

Por për fjalimin e presidentes, koleges së tyre? Heshtje!

Një heshtje që nuk ishte as nga respekti, as nga modestia, por thjesht nga mospërfillja.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka qenë më e hapura në distancimin e saj nga Osmani.

Duke gjetur një aleat të ri, kryeministrin Kurti, ajo duket se ka harruar se kush e vendosi në atë karrige në radhë të parë.

Tani, me një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj presidentes, ajo po forcon pozitat e saj në ekipin e Kurtit, duke e lënë Osmanin të kujtojë kohët kur bashkë ndanin skenën si partnerë të barabartë.

Në këtë kontekst, Lista “Guxo” nuk guxon më as të shikoj kah Presidentja e Kosovës.

Dikur simbol i unitetit dhe suksesit të përbashkët, sot është një kujtim i largët i një partneriteti që u shpërbë për shkak të ambicieve, interesave dhe qasjeve të ndryshme ndaj politikës ndërkombëtare.

Nëse guximi ka një definicion të ri, ndoshta është ky guximi për të tradhtuar atë që të ngriti në piedestal.

Në Kosovë politika është një lojë pa rregulla, ku lojtarët ndryshojnë ekipin, harrojnë origjinën dhe shpërfillin atë që dikur ishte një premtim i përbashkët.

Ngjashëm, Lista “Guxo” është zhytur në heshtje, duke na treguar se është e lehtë të guxosh në një vend si Kosova, ku interesat personale janë gjithmonë mbi ato publike.