Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Maj, 2025

Është një pyetje që secili prej nesh e bën, sidomos kur blejmë bukë me çmim të rritur, paguajmë rrymën me çmim të rritur, apo kur marrim rrogën dhe shohim se një pjesë e mirë e saj shkon në taksa.

Në një vend si Kosova, ku çdo euro ka peshë, është me rëndësi të dimë ku përfundojnë paratë sidomos ato që shteti i mbledhë përmes tatimeve.

Sa herë blejmë diçka dhe paguajmë TVSH-në (18% për shumicën e produkteve), apo çdo muaj kur na ndalet një pjesë e pagës për tatimin në të ardhura, po kontribuojmë në buxhetin e shtetit.

Këto para përdoren për të paguar mësuesit, punonjësit mjekësorë, policinë, për të ndërtuar rrugë e spitale, për të mbajtur në këmbë sistemin e drejtësisë dhe për shumë shërbime që i marrim si të mirëqena derisa mungojnë.

Çka për shpenzimet tona?

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2022, një familje mesatare në Kosovë shpenzonte rreth 8,100 euro në vit. Kjo shumë përfshin nevojat bazike: bukë, drithëra, mish, qumësht, ëmbëlsira, dhe kategori si arsim, shëndetësi e transport.

Me një kalkulim të thjeshtë, i bie që një familje ka shpenzuar rreth 22.70 euro në ditë.

Sot këto 22 euro, dikush që ka rrogë të vetën, që i bjen të udhëtoj dhe të ushqehet shumicën e kohës jashtë, (natyrisht e kam fjalën për personat që pritojnë me marrë bukë prej shtëpisë, po edhe për qata bukë që e përgatit në shtëpi, qaq pare të shkojnë për bërjen e një sandwichi. Fokusohu tash në fjalët pas kllapave…), as për nevojat e përditshme për dy ditë nuk të qëndrojnë.

Që nga viti 2021, inflacioni ka ndjekur një trajektore rritëse. Në vitin 2022 arriti kulmin me një normë vjetore prej 11.58%.

Në vitin 2024, 44% e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte, ndërsa shpenzojnë më shumë – sipas një ankete të UNDP-së.

Çka është mesatarja e ditëve të sotme?

12–15 euro në ditë për ushqim, apo rreth 400 euro në muaj,

80–150 euro për fatura mujore (energji, ujë, internet),

200–300 euro për shpenzime të tjera (transport, barna, arsim, argëtim).

Në fund të vitit, një familje arrinë lehtësisht të shpenzoj mbi 10,000 euro për nevojat bazike, një shumë e madhe në krahasim me të ardhurat mesatare mujore që rrallëherë i kalojnë 600–700 euro për familje.

E çysh janë shpenzuar deri sot paratë publike?

Që nga viti 2008, buxheti i Kosovës ka ndjekur trend rritës. Por me secilën qeveri ka ndryshuar edhe prioriteti: herë më shumë për infrastrukturë, herë për mbrojtje sociale, herë për ndonjë ministri që s’i kujtohet askujt pse ekziston.

Shëndetësia? Ka mbetur aty-aty ndër vite, si një faqe që askush s’e përditëson.

Kush e ka udhëhequr buxhetin?

Të dhënat tregojnë se më parë një pjesë e madhe e buxhetit shkonte për infrastrukturë dhe planifikim hapësinor, veçanërisht në fillim të dekadës, kur vendi u kthye në një kantier ndërtimi 24/7 dhe çdo shtrat lumi u përkthye në projekt “strategjik”. Që nga viti 2010, ky buxhet ka filluar të tkurret.

Që nga viti 2015, buxhetin e shtetit e kanë trajtuar si një menu restoranti liderët tanë të dashur.

Një rotacion gastronomik i pushtetit, ku faturën gjithmonë e paguan populli.
Ndërkohë që qeveritë ndajnë buxhetin me thikë e lugë të arit, Agjencia e Statistikave të Kosovës na tregon çdo tre muaj se çfarë është gëlltitur në të vërtetë: më së shumti për mbrojtje sociale, më pak për zhvillim ekonomik, që po pret radhën si një porosi që kurrë s’po i vjen kamerieri.

E ambienti?
Aty i kanë mbetë veç thërrimet. Ka qenë gjithmonë në fund të listës, pavarësisht kush ka qenë në pushtet.

Në kuadër të shpenzimeve të përgjithshme hyn edhe buxheti për pagat e punonjësve publik.
Ndër vite, si numri i punëtorëve, ashtu edhe shuma e buxhetit për pagat e tyre janë rritur.
Me krejt këto ndryshime, natyrisht siç i ndodh çdo vendi që është në zhvillim, kemi lëviz pak sa mos me thanë shumë pak nëse e llogaritë lëvizjen e përvjetshme.

Në tetor, paga mesatare bruto në vend ka qenë gati 795 euro, krahasuar me mesataren prej 431 eurosh sa ka qenë në vitin 2017.

Pra, nëse ende po pyesim “ku shkojnë paret tona?”, përgjigjja është e thjeshtë: një pjesë në ndonjë trotuar që s’mbijetoi dimrin, një tjetër në ndonjë zyrë ku printohet vetëm letra e raportit dhe pjesa tjetër… për t’u harxhuar që të shkruhet raporti për atë çfarë është harxhuar. Rrethi është i mbyllur, paret tona jo aq.