Fakte abstrakte
16 Janar, 2025
Politika është si një kopsht, ku votuesit mbjellin farën e shpresës në çdo cikël zgjedhor.
Por çështja është, a rritet gjithmonë kjo farë?
Apo shpesh përfundon duke u mbuluar nga plehu i premtimeve të parealizuara?
Besimi tek një parti politike është si të blesh një qese me spinaq. Paketimi duket të jetë plot, por kur hapet, gjysma e saj është ajër.
Megjithatë, votuesit nuk heqin dorë.
Ata e bëjnë përsëri dhe përsëri, me shpresën gjysmë naive se këtë herë do të marrin diçka më shumë se një racion bosh fjalësh.
Kjo lidhje midis votuesve dhe partive është si një marrëdhënie toksike, ata të lëndojnë, ti ankohesh dhe në fund, sërish i voton sepse kanë premtuar të ndryshojnë.
Çdo fushatë zgjedhore, nis me premtime që ngjajnë më shumë si një udhëzues për një jetë perfekte sesa një program politik.
“Sigurime shëndetësore”, “Arsim me reforma të thella”, “Zhvillim Ekonomik” “Fund korrupsionit!”.
Këto fraza tingëllojnë aq shpesh sa lirisht votuesit mund t’i regjistrojnë si zile telefoni.
Por pavarësisht kësaj, njerëzit besojnë.
Një pjesë e tyre besimin ne premtime e bëjnë me arsyetimin se është detyra jonë qytetare, ndërsa të tjerët ndjekin filozofinë optimiste se ndoshta herën tjetër mbase do të jetë ndryshe.
Nëse kjo nuk është akti më i madh i besimit, çfarë mund të jetë tjetër?
Në zemër të çdo votuesi qëndron ideja e një shpëtimtari politik.
Duket sikur njerëzit janë gjithmonë në kërkim të një figure që do të vijë si “Mesia modern”, me kostum dhe kollare, për të zgjidhur të gjitha problemet.
Por, sa herë që “shpëtimtari” vjen, ai shpesh i ngjan më shumë një shoferi të humbur që ndjek GPS-në politike, shpesh duke përfunduar në rrugë të panjohura.
Një proverb shqipe thotë: “Mos prit më shumë nga bari, se sa ç’u rrit në pranverë”.
Kjo ndoshta shpjegon më së miri pritshmëritë e votuesve, çdo herë që shohin një politikan të ri, shpresa rritet si bari i njomë, derisa i njejti përballet me vjeshtën e realitetit.
Por shtrohet pyetja: Si kanë mbijetuar besimet elektorale tek votuesit?
Përgjigja qëndron tek aftësia e politikanëve për të ofruar spektakël.
Mitingjet politike duken si festivale muzikore, ku liderët janë “yjet” dhe votuesit janë fansat e tyre.
Pak rëndësi ka nëse kënga e tyre është e njëjtë me fushatën e kaluar, për votuesit rëndësi ka performanca.
Për më tepër, partitë politike kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar nostalgjinë.
Nëse gjithçka tjetër dështon, rikthehen e të flasin për të kaluarën.
Kjo teknikë është si një ushqim i nxehtë për ata që duan të besojnë, pavarësisht se herë pas here ai ushqim ka një shije jo të mirë.
Në fund të ditës, besimi i votuesve për partitë politike, mbetet një fakt abstrakt i pabesueshëm, por real.
Siç thotë një shprehje popullore: “Bëj durim, se do të dalë dielli”.
Edhe votuesit presin, me shpresën se një ditë, politikanët do ta ndriçojnë me të vërtetë të ardhmen e tyre.
Por deri atëherë, votuesit vazhdojnë të hedhin votat e tyre me optimizëm të admirueshëm, edhe pse shpesh përballen me realitetin cinik.
Nëse kjo nuk është një mrekulli në vetvete, atëherë si mund ta përshkruajmë ndryshe?
Apo tjeshtë, të shfrytëzojnë sarkazmin tonë me ironinë dhe të kalojmë edhe këtë cikël zgjedhor.
Gjithmonë, duke vën në pak se më shumë se ndryshimi politik, ajo që mbetet e përhershme është aftësia jonë për të qeshur.