N’Kosovë
15 Maj, 2025
Ky artikull do të trajtoj sipërfaqësisht pasojat e mungesës së autoritetit apo mbikëqyrjes në institucione, organizata apo shoqëri në tërësi. Si përfitojnë individët kur nuk ka rregulla apo kur nuk ka kush t’i zbatojë ato? A është mungesa e “macës” një problem i përhershëm?
Shoqëritë ku rregullat nuk zbatohen realisht, krijojnë një ambient ku individët më të shkathët ose më të pa ndërgjegje e shohin veten të lirë për të përfituar. Në mungesë të personave që gjithmonë marrin përgjegjësi, ata që zgjedhin të qëndrojnë në prapaskenë, dalin në dritë fshehurazi dhe udhëheqin një valle që shpesh sjellë dëme për të tjerët.
Në shumë vende, përfshirë edhe në kontekste të Ballkanit, institucionet ekzistojnë me strukturë dhe ligje të shkruara, por jo me frymën e zbatueshmërisë. Kjo krijon një realitet të dyfisht: nga njëra anë, ligji ekziston; nga ana tjetër, askush nuk frikësohet prej tij. Kjo mungesë besueshmërie nxitë kulturën e “si t’ia hedhim sistemit”, duke u shndërruar në një valle të shkeljeve sistematike.
Edhe përtej ligjeve, ekzistojnë një sërë rregullash apo normash të pashkruara që mbajnë shoqërinë në ekuilibër. Por nëse nuk ka një klimë përgjegjësie të përbashkët, ku secili i thotë tjetrit “kjo nuk është e drejtë”, atëherë edhe këto rregulla zbehen. Në këtë hapësirë, lindë një kulturë ku përfitimi i shpejtë zë vendin e ndershmërisë.
Kush janë përfituesit dhe pse ata fitojnë gjithmonë?
Janë gjithmonë të njëjtit, individët që dinë të manovrojnë në boshllëk, të krijojnë rrjete përfitimi, të shfrytëzojnë njohjet, të heshtin kur duhet folur dhe të flasin kur u leverdisë. Në mungesë të “macës”, këta individë bëjnë ligjin, shpesh në kurriz të atyre që zgjedhin të ndjekin rregullat edhe kur askush nuk i detyron.
Rikthimi i rendit nuk vjen përmes frikës, por përmes përgjegjësisë. Autoriteti i vërtetë nuk është ai që ndëshkon, por ai që ndërton besim dhe zbatim të drejtë të rregullave. Kur çdo qytetar ndjenë se rregullat vlejnë për të gjithë, atëherë askush nuk ndjehet i ftuar të “hedhë valle” mbi kurrizin e të tjerëve.
Por… jo gjithmonë rregullat e pashkruara janë të drejta, e as rendi nuk është gjithmonë i drejtë vetëm pse ekziston.
Përshembull është një korridor moral, që tregon për “kulturën e përgjithshme” që njerëzit duhet ta posedojnë.
- Të mos e lësh një të moshuar në këmbë në autobus,
- Të mos përfitosh nga halli i tjetrit,
- Të mos mburresh me padrejtësitë që të kanë sjellë përfitim.
Këto janë rregulla që e mbajnë shoqërinë më humane dhe janë për t’u vlerësuar shumë.
Por cilat janë “rregullat” që duhet prishur dhe jo ruajtur?
Shumë rregulla të pashkruara, sidomos në shoqëritë e vogla apo të mbyllura, janë në fakt norma shtypëse që mbajnë status quo-në:
- “Mos fol kundër të mëdhenjve”
- “Çka thonë rrethi, është më e rëndësishme se çka do vetë”
Këto janë forma të heshtura kontrolli, që shpesh përdoren për të ruajtur privilegjet dhe frikën.
Andaj rendi duhet të vlerësohet jo për ekzistencën e tij, por për drejtësinë që garanton. Nëse është rend që shërben vetëm të fortët, atëherë më mirë kaos sesa një qetësi që shtypë.