Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Janar, 2025

“Shan gomari, vesht e lepurit,” thotë një proverb shqip. Në kohën e fushatave, dëgjimi i premtimeve që nuk realizohen është detyrë e popullit, ndërsa profesion i atyre që i pohojnë.

Megjithatë, kjo nuk është dukuri e panjohur për audiencën. Por prapë të kap një lloj habie kur e bëjnë ata që nismat e tyre janë ndërtuar mbi thirrjet që nuk japin premtime false.

E njëjta ndodhi dje në Pejë.

Kryeministri Albin Kurti zgjodhi Pejën dhe skenën e kinemasë historike “Jusuf Gërvalla” për të dhënë një premtim që tingëlloi po aq i bujshëm sa ovacionet që e pritën. Ai deklaroi se për këtë kinema ikonike janë ndarë 1.4 milionë euro dhe se renovimi do të përfundojë brenda vitit. Por realiteti buxhetor duket se shfaq një skenar krejt tjetër, ku shifrat dhe planet përputhen aq sa një film dramatik me një komedi romantike.

Ligji mbi ndarjet buxhetore të këtij viti nuk e përmend fare “Jusuf Gërvallën” si projekt të veçantë. Në vend të kësaj, Ministria e Kulturës ka parashikuar 500 mijë euro për revitalizimin e kinemave publike në tri rajone – Prishtinë, Prizren dhe Pejë – shifër e bartur nga viti i kaluar. Dhe, edhe pse deri më 2027 parashikohen 2 milionë euro për këto rajone, 1.4 milionëshi i paralajmëruar nga kryeministri mbetet vetëm premtim, që me një matematikë të thjeshtë nuk del asgjëkundi tamam.

Ministria e Kulturës zotohet se mjetet mund të shtohen nëse ka përparim në punime.

E tash, cila kinema i bie të “digjet” nëse realizohet e Pejës?

Kinemaja e Pejës mbetet peng i një liste të gjatë procedurash, nga miratimi nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve deri te dinamikat e operatorit që do të kryejë punimet. Përballë kësaj, drejtorët e “Anibar”-it, organizatës që menaxhon kinemanë, shpresojnë për ndërhyrjen e nevojshme, por druajnë nga vonesat burokratike.

Historia e “Jusuf Gërvallës” përçon një trashëgimi që kërkon kujdes të posaçëm. Ndërtuar më 1955 si “Kino Rad”, kinemaja i ka shpëtuar privatizimit falë një rezistence të fuqishme nga komuniteti lokal dhe organizata “Anibar”. Sot ajo shërben si qendër socio-kulturore dhe pret një transformim që i është premtuar për vite. Por, ndërsa premtimet tingëllojnë të mëdha, ato janë të varura nga buxhete të vogla dhe nga një planifikim që kritikohet çdo vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në këtë skenë ku arti takon politikën, “Jusuf Gërvalla” mbetet një projekt që kërkon më shumë sesa fjalë. Dhe, nëse premtimet do të realizohen apo do të mbeten pjesë e ndonjë filmi të lënë përgjysmë, këtë do ta tregojë koha. Për momentin, qytetarët e Pejës vazhdojnë të presin që ekranet e kësaj kinemaje të ndriçohen sërish, këtë herë jo me një film tjetër, por me përmbushjen e një premtimi.