Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Maj, 2025

(1 maji në Kosovë mes punëtorëve të vërtetë dhe atyre në sallat e Kuvendit).

”Duam paga të dinjitetshme”, “Punëtort n’deka, shefat n’dreka”, ishin vetëm disa prej shprehjeve, që e paraqesin realitetin e përditshëm t’Kosovës, përmes zmadhuesëve të zërit, se me biseda të përditshme e me tonalitet të pranueshëm, as që vjen në diskutim që i merr parasysh dikush!

Vetëm gjatë katër muajve të 2025-ës, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Ndërkaq në Polici janë raportuar 37 raste për rrezikim të sigurisë në vendin e punës.

Ai punëtori që i shkon për kry’shëndosh familjes së kolegut që e ka humbur në vendin e punës, natyrisht që kanë me mallku shefin, punëndhënësin.

Knej ai arkatari i marketit, si ta merr rrogën në fillim të muajit, veç katër ditë i zgjatë rroga, krejt ditët e tjera i ka mbijetesë deri në rrogën tjetër.

Tani 1 maji festë a? E kush është punëtori i vitit? Ai që punon, a ai që ka ndihmu në krijimin e situatave të tilla përmes vendimeve që ka mendu që i takojnë veç atij/asaj, por në fund rezultatet e rrokin gjerë.

Thonë se 1 maji është ditë pushimi për punëtorët. Por në Kosovë, për disa, kjo ditë është vetëm vazhdimësi e pushimeve që zgjasin gjithë vitin. Po flasim për një kategori punëtorësh të veçantë ata që janë të punësuar për të përfaqësuar qytetarët, por që s’po ja dalin as të përfaqësojnë veten në sallën e Kuvendit.

Deri më tani, disa seanca radhazi kanë dështuar për mungesë të votave. Deputetë që marrin paga të plota, mëditje dhe përfitime të tjera, thjeshtë nuk shkojnë në punë. Askush nuk jep llogari, dhe askush nuk mbanë përgjegjësi. Prandaj, nëse do ta shpallnim “punëtorin e vitit”, me gjithë ironi, ndoshta do të fitonte ai që s’ka bërë asgjë  sepse ky është modeli që po promovohet nga instancat më të larta.

Ndërkohë, punëtorët e vërtetë, ata që mbajnë mbi supe ekonominë, që punojnë në sektorin publik e privat, që rrinë në temperatura të larta e të ulëta, që shpesh punojnë pa kontrata, pa sigurime, e pa mbrojtje ligjore këta s’kanë luksin të mungojnë. Ata punojnë, heshtin, e pësojnë.

Dita e punëtorëve do të duhej të ishte ditë reflektimi, mirënjohjeje dhe mobilizimi për kushte më të mira pune. Por në Kosovë, shpesh është vetëm një datë në kalendar, ndërsa realiteti mbetet i njëjtë: shumë punëtorë të nënvlerësuar dhe shumë të “punësuar” që nuk punojnë.

Le ta shpërblejmë përkushtimin dhe ta dënojmë neglizhencën jo vetëm në fjalë, por në ligj, në votë dhe në ndërgjegje kolektive.