Kojshitë
27 Nëntor, 2026
Radomir Saiçiq, kandidati i Listës Studentore për president të Serbisë, nuk e fsheh qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Ai e cilëson atë si “territor të pushtuar përkohësisht” dhe pretendon se, sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e pandashme e territorit serb.
Saiçiq, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), u zyrtarizua sot si kandidat i Listës Studentore në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të cilat do të mbahen më 27 dhjetor.
Gjatë fushatës, ai ka tërhequr vëmendje me deklaratat për Kosovën, Republikën Srpska dhe Rusinë. Në një paraqitje në emisionin “Oko” të RTS-së, Saiçiq iu referua Kushtetutës serbe për të shprehur pretendimet e tij territoriale ndaj Kosovës.
“Kosova dhe Metohija janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht”, kishte deklaruar ai.
Përveç qëndrimeve ndaj Kosovës, Saiçiq ka shprehur mbështetje për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën. Madje, ai ka deklaruar se Rusia e mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa vetë Qeveria në Beograd.
Ish-oficer rezervë, i mobilizuar gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s
Përtej angazhimit akademik, Saiçiq ka një të kaluar edhe në strukturat ushtarake serbe. Ai ka deklaruar se ishte mobilizuar gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s më 1999, kur kishte shërbyer në kuadër të një batalioni për veprime speciale të ushtrisë serbe.
Gjatë një paraqitjeje televizive në fushatën zgjedhore, ai tregoi se kishte ushtruar detyrën e komandantit të togës së qitësve në front, si dhe të kompanisë së këmbësorisë. Sipas tij, mobilizohej sa herë që vendi përballej me situata të jashtëzakonshme.
“Dëgjoj atje disa, nuk e di, ustashë… ustashë. Unë jam edhe oficer rezervë, përveç faktit që jam profesor universiteti, akademik e kështu me radhë. Kam përfunduar shkollën e oficerëve rezervë të këmbësorisë në Bileça, si i pari në rang. Dhe për shkak të kësaj, dhe sepse kam edhe njohuri kimike, doktoraturë shkencash e kështu me radhë, kam mjaft nga ato ‘VES’-e (specialitete ushtarake), siç thonë në ushtri, mjaft specialitete. Gjithmonë isha i mobilizuar kur kishte ndonjë, siç thonë, ‘rrëmujë’ (situatë kritike). Dhe kam qenë komandant i togës së qitësve në front dhe i kompanisë së këmbësorisë. Dhe mua dikush më thotë ustash”, pati deklaruar Saiçiq.
Këtë përvojë ushtarake ai e kishte përmendur në përgjigje të kritikave se nuk ishte mjaftueshëm patriot dhe se, sipas kritikëve të tij, kishte tradhtuar Kosovën.
Saiçiq kishte theksuar se ishte mobilizuar edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, duke pretenduar se në atë kohë ishte në terren me ushtrinë, ndërsa ata që sot e akuzojnë për mungesë patriotizmi nuk kishin qenë në të njëjtën situatë.
“Flasin për Kosovën. Isha i mobilizuar edhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Dhe kur unë isha në kuadër të batalionit për veprime speciale, ai që na quan ‘tradhtarë të Kosovës’ po futej në banesën e re. Sa më takon mua, me sa di unë, ish-presidenti i shtetit po hynte në banesën e tij të re në kohën kur unë, ja kështu, shëtisja me ushtrinë, domethënë, nëpër pyje dhe male. Dhe ata tani na thonë neve se jemi tradhtarë dhe se nuk kemi mjaftueshëm patriotizëm. Kjo është, domethënë, thjesht nuk duhet komentuar më tej”, pati thënë ai.
Saiçiq është njëri prej profesorëve universitarë që u përfshinë ndër të parët në zhvillimet shoqërore dhe politike gjatë protestave studentore në Serbi.
Ai ishte ndër 14 themeluesit e grupit qytetar “Lista Studentore – Studentët fitojnë”. Po ashtu, ishte pikërisht Saiçiq ai që shpalli fitoren e kësaj liste në selinë e saj, natën e zgjedhjeve të 25 tetorit.