Bota
8 Nëntor, 2025
Shkencëtari amerikan, fitues i Çmimit Nobel, James Watson, një nga bashkë-zbuluesit e strukturës së ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Në një nga arritjet më të mëdha të shekullit XX, ai së bashku me shkencëtarin britanik Francis Crick identifikoi strukturën me spirale të dyfishtë të ADN-së në vitin 1953, duke hapur rrugën për zhvillime të shpejta në biologjinë molekulare.
Megjithatë, reputacioni dhe pozita e tij u dëmtuan rëndë nga komentet që ai kishte bërë për racën dhe gjininë. Në një program televiziv, ai kishte pohuar se gjenet shkaktonin dallime në inteligjencën mesatare mes njerëzve me ngjyrë dhe atyre të bardhë.
Vdekja e tij u konfirmua nga Cold Spring Harbor Laboratory, institucioni ku ai punoi dhe bëri kërkime për dekada, përpara se të detyrohej të jepte dorëheqjen si kancelar pas deklaratave të tij.
Watson ndau Çmimin Nobel në vitin 1962 me Maurice Wilkins dhe Francis Crick për zbulimin e strukturës me spirale të dyfishtë të ADN-së.
“Ne kemi zbuluar sekretin e jetës,” thanë ata në atë kohë.
Që në fillim të viteve 2000, Watson ishte në masë të madhe i përjashtuar nga komuniteti shkencor për shkak të komenteve të tij mbi racën dhe gjininë.
Në vitin 2007, shkencëtari i tha gazetës The Times se ishte “i prirur të shihte me pesimizëm perspektivën e Afrikës”, duke shtuar se “të gjitha politikat tona sociale bazohen në faktin se inteligjenca e tyre është e njëjtë me tonën ndërkohë që testet thonë të kundërtën”.
Ai kërkoi falje “pa rezerva”, por komentet e tij çuan në humbjen e postit si kancelar në Cold Spring Harbor Laboratory në New York.
Deklaratat e tjera që ai bëri në vitin 2019 kur përsëri sugjeroi një lidhje mes racës dhe inteligjencës bënë që laboratori t’i hiqte të gjithë titujt e nderit, përfshirë atë të kancelarit emeritus, profesorit Oliver R. Grace dhe anëtarit nderi të bordit.
“Deklaratat e Dr. Watson janë të papranueshme dhe pa asnjë bazë shkencore,” thuhej në njoftimin e laboratorit asokohe.
Nga zbulimi i ADN-së te polemikat e mëvonshme
ADN-ja ishte zbuluar për herë të parë në vitin 1869, por u deshën deri në vitin 1943 që shkencëtarët të kuptonin se ajo përbënte materialin gjenetik të qelizave. Megjithatë, struktura e saj e saktë mbetej ende një mister.
Duke përdorur imazhe të marra nga kërkimet e Rosalind Franklin në King’s College, pa dijeninë e saj, Crick dhe Watson arritën të ndërtonin një model fizik të molekulës.
Maurice Wilkins, i cili ndau Çmimin Nobel me ta, kishte punuar ngushtë me Franklin për të përcaktuar strukturën e ADN-së. Megjithëse Franklin vdiq në vitin 1958, sot ajo njihet gjerësisht për rolin thelbësor që luajti në këtë zbulim shkencor një kontribut që në atë kohë ishte në masë të madhe i nënvlerësuar.
Një figurë komplekse
Kolegët e tij të dikurshëm kanë komentuar se Watson mbështeti karrierat e shkencëtareve gra në Harvard gjatë viteve 1950–1960, në një periudhë kur veprimet e tilla ishin të pazakonshme.
Por nga ana tjetër, ai ka bërë edhe komente përçmuese për gratë në shkencë dhe shkrime seksiste për Franklin, përfshirë edhe vërejtje për pamjen e saj, në librin e tij të famshëm të vitit 1968, The Double Helix.
Watson u bë laureati i parë i gjallë i Çmimit Nobel që shiti medaljen e tij të artë për 4.8 milionë dollarë në një ankand në vitin 2014. Ai deklaroi se e kishte shitur sepse ndihej i përjashtuar nga komuniteti shkencor pas komenteve të tij. Një miliarder rus e bleu medaljen dhe më pas ia ktheu atij.
James Watson lindi në Çikago në prill të vitit 1928, nga prindërit Jean dhe James Watson, pasardhës të kolonëve anglezë, skocezë dhe irlandezë.
Në moshën 15-vjeçare fitoi bursë për të studiuar në Universitetin e Çikagos, ku u interesua për teknikën e difraksionit me rreze X, metodë që lejonte studimin e strukturave të brendshme të atomeve.
Për të ndjekur kërkimet mbi strukturën e ADN-së, ai shkoi në Universitetin e Kembrixhit në Angli, ku u njoh me Francis Crick. Së bashku, ata filluan ndërtimin e modeleve të mëdha të strukturës së mundshme të molekulës.
Pas zbulimit shkencor, Watson dhe bashkëshortja e tij, Elizabeth, u vendosën në Harvard, ku ai u bë profesor biologjie. Çifti kishte dy djem, njëri prej të cilëve u diagnostikua me skizofreni në moshë të re, një përvojë që e shtyu Watson-in të thellonte kërkimet e tij në gjenetikë, me shpresën për të gjetur ndonjë ndihmë mjekësore për të birin.
Në vitin 1968, ai mori drejtimin e Cold Spring Harbor Laboratory në shtetin e New York-ut, një institucion i vjetër shkencor, të cilin e transformoi në një nga qendrat më të rëndësishme kërkimore në botë.


