Fakte abstrakte / foto: Pinterest
30 Nëntor, 2024
Finlanda, oaza e lumturisë botërore. Kosova në përpjekje për një buzëqeshje
Për shtatë vjet radhazi, Finlanda është shpallur vendi më i lumtur në botë.
Po çfarë kanë finlandezët që nuk kemi ne?
A lidhet kjo me ajrin e pastër në Finlandë, me pyjet dhe malet e pafundme, apo ndoshta me ato sauna të famshme ku qytetarët shkarkojnë lodhjen dhe stresin e ditës?
Apo ndoshta lumturia matet me numrin e peshqve që peshkatarët kapin në liqenet e akullta?
Nga sa kemi arritur të perceptojmë, lumturia finlandeze buron nga shumë arsye që lidhen me mirëqenien e qytetarëve.
Finlandezët nuk e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në kafene plot zhurmë, ku diskutohet me të madhe për politikën dhe politikanët.
Ata kalojnë shumë kohë në natyrë, madje flasin edhe me drunjtë dhe pemët. Kjo ndoshta i bën më të lumtur se debatet politike.
A ka diçka më relaksuese se të rrish në një dhomë të nxehtë dhe më pas të hidhesh në një liqen të ngrirë?
Kjo metodë tashmë është provuar se ndihmon në largimin e lodhjes dhe shqetësimeve që akumulohen gjatë jetës.
Por një gjë është e dëshmuar: finlandezët kanë qeveri dhe udhëheqës shtetërorë që nuk i lënë qytetarët e tyre në baltë.
Ata janë të sigurt se taksat e tyre shkojnë për arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë ideale, dhe jo në xhepat e dikujt tjetër.
Kthejmë vëmendjen tek Kosova
Vendi që dikur njihej për popullin e tij të buzëqeshur dhe optimist, madje edhe atëherë kur statusi i tij politik nuk ishte zgjidhur ende.
Duket sikur kohët kanë ndryshuar.
Nga ëndrrat për një të ardhme të ndritur, sot flasim më shumë për rrugët që na çojnë drejt Gjermanisë, Zvicrës, Norvegjisë e deri në Amerikë.
Optimizmi i popullit është ndalur nga politikat e mbrapshta dhe udhëheqësit vetjakë.
Premtime boshe me plane që duken gjeniale vetëm në letër kanë lodhur qytetarët.
Të rinjve në Kosovë nuk u mungojnë ëndrrat, por shumë prej tyre, më shumë se gjithçka tjetër, mendojnë për një biletë njëdrejtimëshe larg vendlindjes.
Shpresa për një jetë më të mirë jashtë vendit është në mendjen e këtij eksodi, nëse mund ta quajmë të tillë.
Kur ende ndalet energjia elektrike, uji për pije mungon, çmimi i bukës rritet, e paga nuk mjafton deri në fund të muajit, është shumë e vështirë të ruash optimizmin.
Por a mundet dikush në këtë vend ta imagjinojë që një ditë Kosova të jetë një vend i lumtur?
Ndoshta. Por, a e dini kur?
Një ditë kur taksat të shkojnë për një mjedis pa ndotje, rrugë pa gropa dhe të pastra, arsim cilësor dhe spitale të denja.
Një ditë kur shpresa të mos jetë luks, por një realitet i prekshëm.
Një ditë kur të rinjtë të mos e shohin valixhen si simbol të shpëtimit.
Lumturia nuk nënkupton vetëm sauna dhe liqene, as flamujt që tundim në sheshe.
Ajo është ndjesi e domosdoshme stabiliteti dhe nevojë për përmbushje emocionale.
Derisa Finlanda shijon dhuntitë që ka, për Kosovën dhe vendet si ky i yni duhet të jetë moment reflektimi.
Le të shpresojmë që një ditë do të shohim në ballinat e magazinave prestigjioze një artikull: “Kosova, vendi më i lumtur në botë.”
Deri atëherë, ndoshta na ndihmon pak sauna, sepse të tilla kemi shumë.
Të paktën të kemi qeverisje dhe politikanë që krijojnë politika funksionale, që të paktën të rikthejmë optimizmin që dikur ishte karakteristik i këtij populli.
Sa për lumturinë… hmm, gjatë, shumë gjatë do të presim.