Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Qershor, 2025

Vështirë është me qenë i/e thjeshtë, jo vetëm ti si person por edhe mënyra si funksionon. Nganjëherë është vetë jeta që t’i vështirëson punët, të bën të jesh i kompleksuar, e kjo pjesa komplekse varet edhe prej njerëzve që je i rrethuar, sa ndikojnë ata tek ti, sidomos nëse koha kur qëndron ose ke qëndruar me ta, qëllon të jetë një periudhë që ti ke toleruar më shumë, ke përthithur gjithçka si për të qenë ose nëse vet si person je më i brishtë.

Nganjëherë nuk e kapim momentin, ata që e kapin, kanë sy të bukur, do të thoshte ndoshta dikush që lexon literaturën e lindjes.

Suksesi yt, ndoshta pa e vërejtur ti, ndodhet tek ai guri që e godet çdo ditë më këmbë, çdo herë kur del nga dera.

Për katër vite me radhë, fotografi Hayahisa Tomiyasu kaloi çdo ditë duke parë me durim nga dritarja e tij, duke vëzhguar çfarë ndodhte në një oborr ngjitur me dhomën e tij të gjumit, vetëm sepse një ditë kishte parë një dhelpër, të cilën e priste të kthehej.

Duke pritur, me kalimin e ditëve, muajve dhe viteve, vuri re se banorët dhe kalimtarët natyrshëm tërhiqeshin drejt një tavoline ping pongu që ndodhej në mes të oborrit, përballë apartamentit të tij në Leipzig.

Hayahisa filloi të bënte foto të këtyre skenave të zakonshme edhe pse gjithçka kishte nisur me synimin që të krijonte një seri mbi jetën e një dhelpër.

“Të dielën, më 14 gusht 2011, dola për një shëtitje rreth orës 15:00, gjatë shëtitjes, pash një dhelpër jo shumë larg vetes. Ndoshta nuk më pa ose zgjodhi të më injoronte. Sytë i kishte mbyllur dhe po nuhate gurët mes trotuarit dhe barit ngjitur, bëri punët e saj dhe më pas u largua me shpejtësi drejt shkurreve aty pranë. Pak para se të zhdukej në shkurre, ndaloi dhe hodhi një vështrim në drejtimin tim. Maja e bishtit i ndriçonte në të bardhë.”

Një javë më vonë, ende duke menduar për dhelprën, Hayahisa vrapoi drejt dritares së apartamentit të tij studentor në katin e tetë, me pamje nga jugu.

“Përballë ndërtesës ishte një fushë sportive. Në të djathtë ndodhej një pishinë e mbyllur dhe një fushë e vogël futbolli, pranë një palestre. Në të majtë ishte një gropë me rërë, një pistë vrapimi, një fushë më e madhe futbolli dhe një tavolinë ping pongu,” përshkruan ai.

Në atë fushë sportive, krejt rastësisht, ai pa dhelpërën duke kaluar qetësisht nëpër gropën me rërë dhe pistën e vrapimit.

“U ndal pak para tavolinës së ping pongut dhe ngriti kokën për ta parë. Pastaj vazhdoi dhe u largua nga fusha.”

Për katër vitet e ardhshme, Hayahisa priti kthimin e dhelprës dhe gjatë kësaj pritje dalëngadalë, por sigurt, filloi të vëzhgoja tavolinën e ping pongut, ashtu siç bëri edhe dhelpra.

Megjithëse priti nga 2012 deri në 2016, dhelpra nuk u shfaq më kurrë.

Duke folur për procesin e këtij projekti fotografik që zgjati katër vjet, Hayahisa shpjegon se ai praktikisht e pushtoi jetën e tij.

“Në atë kohë përpiqesha të isha sa më shumë në dhomën time. Ndonjëherë më duhej të anuloja takime kur dikush shfaqej atje poshtë. Madje për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, qëndrova në dhomë, vetëm që të mos humbja asnjë moment pranë tavolinës.”

Sa i përket mënyrës së të fotografuarit, Hayahisa shpesh ndërronte pozicion, duke u zhvendosur majtas ose djathtas, në varësi të njerëzve që ndodheshin pranë tavolinës. Pavarësisht orës apo motit, fotografi përpiqej të ishte gjithmonë aty dhe duket se gjithmonë ndodhte diçka.

Projekti fotografik TTP (shkurt për “Tischtennisplatte” = tavolinë ping pongu në gjermanisht) është një vëzhgim social, por gjithashtu edhe një obsesion i lehtë fotografik dhe vëzhgues, pa përmendur një ndërmjetësim mbi sjelljen e dhelprave.

Natyra e përsëritur e serisë së Hayahisa-s tërhoqi vëmendjen e botuesve të Mack Books, dhe ishte botimi i parë që fitoi çmimin e tyre për librin më të mirë vitin e kaluar. Projekti vazhdon të jetë një pikë referimi për fotografët: Hayahisa hapi një ekspozitë me punimet në Galerie b2 në Leipzig në vitin 2019 dhe shpesh flet për procesin dhe librin e tij në prezantime të ndryshme.

Ky projekt lidhet me një traditë të gjatë të artit konceptual dhe minimal, ku përsëritja, qëndrueshmëria dhe procesi vetë janë pjesë e veprës. Më shumë sesa të tregojë një histori, seria është një meditacion vizual mbi vëzhgimin, kohën dhe pritjen.

A mund të konsiderohet ky projekt si kritikë ndaj jetës moderne dhe mënyrës se si e humbim vëmendjen ndaj së përditshmes?

te gjitha foto: Tomiyasu Hayahisa: TTP