N’Kosovë
22 Shtator, 2025
Ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Enver Petrovci
Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar sot për ndarjen nga jeta të një prej emrave më të shquar të skenës dhe ekranit shqiptar, Enver Petrovci.
I lindur në Prishtinë më 1954, Petrovci kreu shkollimin fillor e të mesëm në vendlindje, ndërsa studimet për aktrim i ndoqi fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë (1972), e më pas në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd (1978). Që në vitet e hershme si student, me shfaqjet e Çehovit “Mblesëria” dhe “Martesa”, ai u bë pjesë e festivaleve më prestigjioze të ish-Jugosllavisë dhe skenave ndërkombëtare.
Pas diplomimit, ai punoi në Teatrin Jugosllav të Dramës dhe në teatrin “Atelje 212”, ku spikati me rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosançiçit”. Në vitet ’80, Petrovci u afirmua si një nga aktorët më të kërkuar të teatrit, ndërsa me shpërthimin e krizës në ish-Jugosllavi, u rikthye në Prishtinë, duke sjellë vepra të fuqishme si “Konfiteori”, “Procesi” dhe “Nastasja Filipovna”.
Përveç aktrimit, ai dha një kontribut të madh edhe si themelues institucionesh kulturore. Në fillim të viteve ’90, themeloi dhe drejtoi Teatrin “Dodona”, ndërsa më 1994 krijoi shkollën e parë private të aktrimit në Kosovë, “Actor’s Studio”. Pas luftës, nga kjo nismë lindi Akademia e Arteve dhe më vonë “Teatri i Babës”.
Petrovci është autor, regjisor dhe aktor i shfaqjeve të paharrueshme si “Kush më ka faj që jam shqiptar” dhe “Të mallkuarit”, ndërsa ka lënë gjurmë edhe në kinematografi me role të spikatura në filma si “Kur pranvera vonohet” (1980), “Dhimbja krenare” (1990) dhe “Rojat e mjegullës” (1988).
Për punën e tij është nderuar me dhjetëra çmime, ndër të cilat spikasin çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Aleksandër Moisiu” në Tiranë (1993), çmimet si aktori më i mirë në Festivalin e Filmit Kosovar (2003, 2004), në Festivalin e Teatrove të Kosovës (2007) dhe në Tirana International Film Festival (2010).
Krahas krijimtarisë artistike, për vite me radhë Petrovci ka qenë edhe pedagog i aktrimit dhe diksionit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, duke formuar breza të tërë aktorësh të rinj.
