Fakte abstrakte
9 Korrik, 2025
Këto i ka shkru një filozof amerikan, e unë (Erleta) po e ndjej nevojën t’i ndajë me ju. Çkado që je duke bo në këto momente studime, duke përcjellë ndonjë kurs, duke tentu me mësu diçka të re, kjo është për ty.
Shumica e njerëzve i trajtojnë librat si sende të shenjta: i mbajnë të pastra, pa rrudha dhe kurrë nuk shkruajnë në to edhe një shënim i vogël në anë të faqes – duket si mëkat.
Por në vitin 1940, një burrë i quajtur Mortimer Adler mendonte ndryshe. Në një ese të shkurtër të titulluar “Si të shënosh një libër”, ai thoshte se shkrimi në libra nuk është dëmtim por mënyrë për t’i kuptuar më mirë. Ai besonte se mënyra e vetme për ta kuptuar vërtet një libër është të komunikosh me të: të shënosh, të pyesësh, të reflektosh.
Sot edhe shkenca e mbështet këtë ide. Studimet tregojnë se kur shkruan gjatë leximit, e mbanë mend shumë më mirë atë që lexon – madje deri në shtatë herë më shumë.
Po pse nuk e bëjmë?
Sepse që fëmijë na kanë mësuar se librat duhen ruajtur të paprekur. Por Adler thotë: librat nuk janë dekorata, janë mjete për të menduar, dhe mjetet përdoren, nuk ruhen në kuti.
Ai thotë se nuk ka rëndësi sa libra ke në raft por sa nga ata ke përvetësuar. Pronësia e vërtetë e një libri është kur ai bëhet pjesë e mendjes tënde.
Librat me shënime tregojnë jetë
Adler nuk i donte bibliotekat që duken bukur për sy por ato që duken sikur janë përdorur. Për të, një libër me nënvizime, me komente anash, me faqe të palosura, tregon që dikush është përballur me idetë e tij.
Ashtu si një punëtor lë gjurmë në veglat e punës, edhe një lexues lë gjurmë në një libër që e ka lexuar me përkushtim.
Leximi si bisedë
Adler thotë se leximi nuk duhet të jetë pasiv. Duhet të jetë një bisedë mes teje dhe autorit. Kur nënvizon një fjali, po thua “kjo më bën përshtypje”. Kur shkruan një koment, po teston mendimin tënd.
Psikologjia moderne e vërteton këtë: kur e shpjegon diçka me fjalët e tua, ajo që lexon mbetet më gjatë në mendje.
Shënimet që le pas tregojnë se si ke menduar në atë kohë. Mund të kthehesh pas vite më vonë dhe të shohësh se si ke ndryshuar ose çfarë ka qenë e rëndësishme për ty atëherë.
Si të shënosh një libër
Adler nuk thotë vetëm që duhet të shënosh por edhe si:
Vendos yje/viza në idetë më të rëndësishme.
Rretho fjalë të reja që do t’i mësosh.
Nënvizo fjalitë më të forta.
Numëro hapat që ndjek një argument për të kuptuar më mirë logjikën.
Shkruaj pyetje ose komente në margjina.
Përmbledh kapitujt me fjalët e tua në fund të tyre.
Adler madje sugjeron të përdorësh bojë në vend të lapsit, që të ndihesh më i angazhuar sepse kur shkruan me bojë, duket sikur po e thua: “Ky mendim është i imi dhe jam i sigurt për të.”
Jo çdo libër ka nevojë për shënime
Sigurisht, jo çdo libër duhet shënuar. Nëse po lexon një roman për qejf, nuk ka pse. Por kur lexon libra më seriozë si filozofi, histori, apo letërsi klasike – shënimi është thelbësor.
Me kalimin e kohës, librat me shënime bëhen si ditarë të mendimeve të tua. Kur i rishikon pas shumë vitesh, ato fjalë të vogla në faqe të kujtojnë kush ishe kur e lexoje.