Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Nëntor, 2024

Në Kosovë, atmosfera festive e dhjetorit nuk do të jetë e nxehtë vetëm nga dritat e fundvitit, por edhe nga thirrjet e mësimdhënësve për të drejtën e tyre.

SBASHK-u, kjo sindikatë që vazhdimisht ka qenë në betejë me qeveri të ndryshme, ka paralajmëruar se më 4 dhjetor do të dalin në rrugë për të protestuar.

Në zemër të kësaj proteste, qëndron një temë e përhershme, mungesa e dialogut midis SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

Sipas sindikatës, qeveria po “bllokon” negociatat për Kontratën e re kolektive të arsimit.

Në vend të bashkëpunimit, edhe kësaj radhe kemi shpërfaqje të pakënaqësisë publike.

Njëra palë marshon me pankarta, tjetra pret nga mësidhënësit reflektim.

Për nxënësit, çdo mosmarrëveshje nënkupton një tjetër mësim të humbur.

Protesta do të fillojë para Ministrisë së Arsimit dhe më pas do të zhvendoset drejt ndërtesës së qeverisë dhe parlamentit.

SBASHK-u thekson se ka mbështetjen e Unionit të Sindikatave të Evropës dhe Internacionales Botërore të Arsimit.

Kjo dëshmon se në Kosovë, më lehtë mund t’i bindësh insitucionet e jashtme, sesa qeverinë që mban përgjegjësinë për sistemin e arsimit.

Nxënësit, të cilët janë padyshim viktimat e pafajshme të këtij problemi, do të përballen me të njëjtin skenar.

Orë të humbura dhe një sistem arsimi që ndalet, sa herë që palët përplasen.