N’Kosovë
14 Maj, 2025
Nga Ditari i Paper | 2025
Shumë kohë më parë, e dëgjova nanën duke i thënë vëllaut, që në tokën ku është derdhur gjakë, bari gjithmonë bëhet më i blertë, më me ngjyrë.
Nëse ndonjëherë shihni një fushë me lule të egra Artemisia në Kosovë, ndaluni për një moment. Ato lule nuk janë thjesht një pamje e bukur e natyrës. Ato janë dëshmi. Dëshmi të heshtura, por të pamohueshme.
Në vitin 1999, në mes të dhembjes dhe dhunës që kishte pllakosur Kosovën, patologia britanike Margaret Cox dhe ekipi i saj zbuluan një fenomen të pazakontë, në sipërfaqet ku ishin fshehur varreza masive, mbinte dhe lulëzonte në mënyrë të dendur Artemisia vulgaris, një bimë që zakonisht nuk gjendet në përmasa të tilla. Bashkë me këtë lulëzim, aty mblidheshin edhe flutura me ngjyrë vjollce krijesa të brishta që ushqehen pikërisht nga kjo bimë.
Margaret Cox kërkonte flutura, por puna e saj e mësoi se edhe nëse i gjen ato nuk do të thoshte gëzim. Ato janë nënprodukt i asaj që Cox e quan “anomali gjeofizike”. Ne e njohim me emrin e saj të zakonshëm – varreza masive.
Në mbretërinë e fluturave, çdo specie ushqehet me një bimë specifike “pritëse”. Ekziston një flutur blu që ushqehet vetëm me Artemisia vulgaris ose mugwort, një lule e egër që rritet deri në 1.2 metra, afërsisht sa gjatësia e një fëmije. Njerëzit e Evropës mesjetare mbushnin jastëkë me mugwort duke besuar se u jepte ëndrra të lumtura dhe të gjalla. Ata e mendonin magjike, si një hajmali.
Në vitin 1994, gjenocidi në Ruandë mori fund teksa puna e një gruaje me mision të rrallë filloi. Antropologia e shquar mjeko-ligjore Margaret Cox i tregon Harriet Warner se si profesion i saj e bëri të zbuloj trupat e të masakruarve dhe se si natyra e ndihmon atë të sjellë para drejtësisë vrasësit masivë.
Ishte një kontrast i dhimbshëm: bukuria e natyrës që zbulohej mbi krimet më të rënda kundër njerëzimit.
Sepse siç tregonte Cox, “të vdekurit nuk janë aq lehtë për t’u fshehur.” Trupat që kalben nën dhe e ndryshojnë përbërjen e tokës. Ajo bëhet më ushqyese, bima mbin, fluturat vijnë dhe kështu, gjurmët e gjenocidit nuk zhduken ato bëhen të dukshme në gjuhën e natyrës.
Në një intervistë të vitit 2004 për The Independent, Cox shpjegonte se ky fenomen i çuditshëm i quajtur “anomali gjeofizike”, ishte bërë një prej mënyrave për të lokalizuar varrezat masive në Kosovë. Me kalimin e viteve, teknologjia ndihmoi: radarë që depërtojnë në tokë, imazhe satelitore, qen që nuhasin trupat, analiza magnetike… por në 1999-të, ishte një fushë me Artemisia që i drejtonte aty ku dhuna ishte përpjekur të mbulohej me gjithçka.
Cox, e cila nuk e nisi jetën si arkeologe apo shkencëtare, por si nënë e re dhe shitëse librash në Dorset, u shty drejt botës së krimeve masive përmes pasionit për arkeologjinë dhe drejtësinë. Ajo themeloi qendrën Inforce dhe kaloi dy dekada në zonat e konfliktit, duke zbuluar të shkuarën për t’i dhënë një të ardhme më të drejtë të mbijetuarve.
Në Kosovë, ajo punoi thellë me masakra të grave dhe fëmijëve, varre të fshehura brenda varrezave “legjitime”, përpjekje për të maskuar të vërtetën me hekurishte dhe miniera. Por fluturat vjollcë nuk gënjejnë.
“Kishte një varrezë që konsiderohej shumë i rëndësishëm për qëllime të aktakuzës,” thotë Cox duke folur për punën e saj në Kosovë.
“Varreza lidhej me masakrën e grave dhe fëmijëve në një vend specifik dhe na u kërkua ta gjenim atë varr. Në atë fazë, autorët e krimit e dinin se po përdoreshin imazhe satelitore, kështu që ndryshuan mënyrën e tyre të veprimit . Në vend që të hapnin varre masive, ata u zhvendosën drejt varrosjes së njerëzve në varre individuale në varreza legjitime në Kosovë. Zona që duhej të shikonim kishte mbeturina nga vendet e ndërtimit të vendosura kudo – nuk mund të përdorësh gjeofizikë në terren të pabarabartë. Gjithashtu, ishte e mbushur me mbeturina metalike dhe nuk mund të përdorësh asnjë test që bazohet në ndonjë lloj anomalie të fushës magnetike ku ke metal. Pra, në rrethana të tilla, gjëja e parë që duhet të bësh është të heqësh plaçkën – dhe të shpresosh se nuk është e mbushur me mina.”
Vendosja e kurtheve me mina në varre ishte një rrezik real për punën e Cox dhe ekipin e saj. Ajo thotë se në ish-Jugosllavi “ka pasur gërmime të qëllimshme të varreve për të penguar hetuesit. Briskët futeshin brenda zgavrave të trupit për të dëmtuar ose për të penguar patologët të bënin punën e tyre. Gjenocidi është shumë i sistematizuar dhe asgjësimi dhe parandalimi janë të gjitha të integruara në proces”.
Detyra e Cox ishte të gjejë, gërmojë dhe zhvarrosë varret masive që besohet se mbajnë viktimat e gjenocidit. Detyra e saj ishte e dyfishtë të mbledhë prova për gjykatat dhe tribunalet ndërkombëtare, duke i mundësuar atyre të dënojnë ata që janë përgjegjës dhe, së dyti, të identifikojë dhe t’ua kthejë eshtrat e zhvarrosura familjeve të tyre.
Në vitin 1996, Cox, krijoi kursin unik dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht pasuniversitar të arkeologjisë mjeko-ligjore në Universitetin e Bournemouth. Kursi u hartua për hetimin e krimit të brendshëm në Mbretërinë e Bashkuar, por theksi shpejt u zhvendos nga kombëtar në ndërkombëtar sepse, një mijë milje larg rërës së butë të bregdetit jugor të Anglisë, tmerret po fillonin të dilnin nga tokat e ish-Jugosllavisë – varre masive të mbushura me mijëra trupa.
Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) kishte nevojë për prova nga varret përpara se Millosheviçi dhe miqtë e tij të mund të gjykoheshin ndonjëherë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Tribunali rekrutoi studentët e parë të Cox dhe i zhvendosi ata në ish-Jugosllavi. Midis këtyre studentëve ishin arkeologët Jon Sterenberg dhe Caroline Barker, sot liderë në fushën e tyre.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999, hetuesit e ICTY-së, të mbështetur nga ekipe forenzike ndërkombëtare, përfshirë ekspertë si Margaret Cox, filluan një operacion të gjerë për të identifikuar dhe ekzaminuar varrezat masive në Kosovë. Në vitin 1999, vetëm në atë vit, u zbuluan 195 vende dhe u gjetën 2,108 trupa të pajetë. ICTY
Një nga rastet më të rëndësishme që përfshiu provat e mbledhura nga këto ekipe ishte masakra në Izbicë, ku u vranë të paktën 93 civilë shqiptarë të Kosovës. Kjo masakër u përfshi në aktakuzat kundër liderëve serbë, përfshirë Slobodan Miloševićin.
Sot, 26 vjet pas luftës, ky detaj i thjeshtë një lule që mbin aty ku s’duhet duhet bërë pjesë e kujtesës kolektive. Një shenjë që e vërteta gjen gjithmonë një mënyrë për të dalë në dritë.
Dhe në këtë përpjekje për të mos harruar, për të mos mbuluar, Paper Blog vendos t’i rikthehet këtij kapitulli: sepse, siç thoshte antropologia Margaret Mead, fjali që Margaret Cox mban gjithmonë në mendje “kurrë mos dysho se një grup i vogël qytetarësh të menduar mund ta ndryshojnë botën. Në fakt, është e vetmja gjë që ndonjëherë e ka bërë.”
Në një vend ku shpesh mungojnë lulet për të gjallët ndoshta një fushë me Artemisia është më e sinqertë se çdo pllakë përkujtimore. Dhe nëse ndonjëherë i shihni ato flutura të vjollcë në fluturim, mendoni si kujtesë.