Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Maj, 2025

“Kur s’je në TikTok, nuk je askund”, fraza më përfaqësuese për vitin 2024, të paktën për Shqipërinë, e cila tash e dy vite qëndron në majë të hartës digjitale.

Ky artikull nuk është për ta vënë në pah impaktin e Tik-tok, por të “shikimeve” në videot që ti prezanton.

Por pse duhet domosdoshmërisht që të kesh “shikime”, a ja shton vlerën asaj çka ti promovon? A është diçka që shitet shpejt dhe vetëm kalon?

Në vitin 2024, Shqipëria u shndërrua në një yll të TikTok-ut, duke tejkaluar Italinë dhe Greqinë në shikueshmëri për postim. Me mbi 3.8 milionë postime dhe 108.5 miliardë shikime nën hashtagun #albania, vendi u bë një destinacion i preferuar për turistët dhe krijuesit e përmbajtjes. Ky sukses nuk është i rastësishëm. Pas këtij shpërthimi qëndron natyrisht ajo që natyra krijoi dhe një bashkëpunim i heshtur mes influencuesve dhe vetë algoritmit të TikTok-ut.

Tash…algoritmi i TikTok-ut funksionon veçanërisht mirë kur përballet me pamjet që ofron Shqipëria.

Një dorë duhet dhënë “tiktokerëve”, të cilët promovojnë edhe vendqëndrimet, si hotelet apo airbnb, që edhe po të mos e kenë shërbimin aq në nivel, fakti që një person me miliona ndjekës po e shpërndanë e bënë të vetën.

Në këto raste, përmbajtja është shpesh e kuruar në mënyrë estetike dhe përçon përshtypjen e një “parajse të fshehur” edhe kur realiteti mund të jetë më i zakonshëm.

Përshembull vendet e sapohapura, në bashkëpunim me influencerë presin rritje të menjëhershme të prenotimeve pas çdo videoje virale.

Por edhe video më spontane, të krijuara nga turistë të zakonshëm, mund të shkojnë virale – falë algoritmit të viralitetit që favorizon përmbajtjen me angazhim të lartë.

Tiktok e ka kthyer Shqipërinë në një fenomen, pa fushata zyrtare, thjeshtë me një zinxhir efektesh zinxhirore nga përmbajtja emocionuese dhe vizuale.

Një tjetër fuqi janë reality show-t, të cilat veprojnë në dy kahe: nga njëra anë marrin influencues me ndjekës të lartë për të importuar audiencën e tyre brenda programit dhe nga ana tjetër krijojnë influencues të rinj persona që hyjnë të panjohur dhe dalin me ndjekje masive, duke u bërë më pas partnerë të markave, hoteleve apo platformave të tjera. Kjo lojë me famën është një investim në kapitalin njerëzor të klikimeve.

Por çfarë i bën 1 milion shikime?

A është vlefshmëria e një përmbajtjeje ajo që e shtynë drejt suksesit, apo nevoja për fryerje dhe shfaqje të zbukuruara sepse nuk besohet mjaftueshëm në atë që ofrohet?

E vërteta është diku në mes. Disa biznese kanë përmbajtje cilësore, por për të mbijetuar në një treg të mbingopur, kanë nevojë për “booming attention”. Të tjerët krijojnë iluzionin e suksesit përmes pamjeve dhe influencuesve, pa një bazë të fortë reale thjeshtë për të rrëmbyer një sezon turistik të majmë. Në të dyja rastet, vlefshmëria perceptohet si rezultat i views, jo si shkak i tyre.

Përshembull një nga rastet e famshme ishte kënga që fituesi i BigBrother Vip Albania i vitit 2023, Luiz Ejlli, kur regjistroi një këngë brenda reality show-it, me pamje të marra nga skenat në këtë shtëpi, me famën e mometit që posedonte, “Me ty”, pas 9 orëve nga publikimi arriti 1 milion klikime.

Sot Luiz Ejlli merr miliona, por jo me shpejtësinë që merrte dikur.

Shqipëria e 2024-ës është një fenomen digjital që s’mund të injorohet.

Në këtë mbretëri të re, çdo video është një pasaportë për famë. Por pyetja është: kush do të mbetet kur drita e ekranit të fiket dhe valët e TikTok-ut të shuhen? Ata që kishin diçka për të treguar apo ata që vetëm dinin si të shfaqeshin? Apo sindrom i shoqërisë moderne?