Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Shkurt, 2026

Në çdo shoqëri ekziston një luftë për vëmendje, vëmendje për atë që mendojmë, që themi. Vëmendja është burimi më i kufizuar i kohës sonë dhe njëkohësisht, më i manipulueshmi.

Ajo që e zotëron, nuk ka nevojë të imponojë realitetin, mjafton ta zëvendësojë atë.

George Orwell, shkruante në romanin 1984: “Big Brother is watching you.” Në roman, kjo fjali nuk përdorej për ta paralajmëruar argëtimin, por për kontroll, frikë dhe humbje të lirisë individuale. Ironikisht, sot Big Brother nuk na vështron për të na ndëshkuar, ai na argëton.

E nëse reality shows e përpijnë realitetin, pyetja nuk është pse njerëzit e ndjekin, por prej çka po largohemi ndërkohë që këto shows po ndodhin.

Spektaklet si Big Brother funksionojnë si mekanizma të fuqishëm shpërqendrimi, që e zhvendosin fokusin kolektiv nga çështjet strukturore, drejt konflikteve të fabrikuara dhe emocioneve të kontrolluara.

Reality shows ndërtohen mbi idenë e dramave të vazhdueshme, polarizimit të personazheve dhe narrativave që ndryshojnë çdo ditë. Ky ritëm i shpejtë e mban audiencën të angazhuar emocionalisht e në anën tjetër e dobëson mendimin kritik.

Në vend që publiku të përballet me pyetje rreth ekonomisë, arsimit, shëndetësisë apo kulturës, ai ftohet të zgjedhë anë në debate të parëndësishme, por të dizajnuara për reagim të menjëhershëm.

Media luan një rol kyç në këtë proces. Kur hapësira mediatike mbushet me përmbledhje ditore të një reality show, me tituj sensacionalë dhe analiza sipërfaqësore, krijohet iluzioni se aty po ndodh diçka me rëndësi publike. Në fakt, prodhohet një cikël i mbyllur përmbajtjeje, ku nuk informon, por argëton dhe neutralizon çdo ndjenjë urgjence për realitetin përtej ekranit.

Ky model i shërben një sistemi më të gjerë. Një publik i përfshirë emocionalisht në jetën e disa individëve të izoluar në një shtëpi është më pak i prirur të kërkojë llogari, të organizohet, apo të shfaq reagim ndaj problemeve reale. Spektakli i vazhdueshëm krijon ndjesinë e përfshirjes, pa pasur nevojë për pjesëmarrje reale qytetare.

Nuk është rastësi që shumë figura publike dhe artistë zgjedhin këto formate për të ekzistuar në hapësirën publike. Sepse aty prodhohet dukshmëri. Në një realitet ku puna krijuese kërkon kohë dhe mbështetje, ndërsa vëmendja është monedha kryesore, reality show bëhet rruga më e shkurtër drejt ekzistencës publike.

Ndërkohë, arti, kultura dhe mendimi kritik mbeten në periferi. Jo për mungesë cilësie apo audience të mundshme, por sepse nuk përputhen me logjikën e konsumit të shpejtë. Një shfaqje teatrore, një film apo një ekspozitë kërkon kohë, reflektim dhe prani fizike. Një reality show kërkon vetëm një ekran dhe pak durim.

Kjo krijon diçka të re: sa më shumë rritet ekspozimi i spektaklit, aq më pak hapësirë mbetet për përmbajtje që t’bën ta pyesësh veten dhe ta ndërtosh atë.

Tek e fundit, problemi nuk është pse njerëzit zgjedhin ta ndjekin këtë lloj përmbajtjeje. Problemi është se sistemi ua ofron këtë si pothuajse të vetmen formë pranie publike.

Studime të ndryshme mbi konsumin mediatik tregojnë se përmbajtjet e bazuara në konflikt, dramë personale dhe vrojtim, krijojnë varësi emocionale dhe reduktojnë aftësinë për përpunim kritik të informacionit.

Sipas raporteve të Unionit Evropian për edukimin mediatik, audiencat që konsumojnë kryesisht përmbajtje argëtuese të tipit reality, kanë më pak prirje të ndjekin lajme hulumtuese, debate politike apo analiza kulturore.

Në Shqipëri, kjo prirje përforcohet nga struktura e vetë mediave. Një pjesë e madhe e portaleve online mbijetojnë ekonomikisht përmes klikimeve dhe reklamave. Në këtë kontekst, një lajm për një debat brenda një shtëpie reality prodhon shumë më tepër trafik sesa një analizë mbi buxhetin e kulturës, kushtet e punës në arsim apo raportet mbi varfërinë. Kjo nuk ndodh sepse temat e dyta nuk janë të rëndësishme, por sepse ato kërkojnë kohë, burime dhe rrezik të jetëgjatësisë në treg.

Sipas të dhënave të INSTAT-it dhe Eurostat-it, Shqipëria renditet ndër vendet me pjesëmarrjen më të ulët në aktivitete kulturore në rajon. Në të njëjtën kohë, audiencat televizive tregojnë rritje të ndjeshme gjatë transmetimeve të reality shows, veçanërisht në “prime time”. Ky kontrast tregon qartë se vëmendja publike nuk shpërndahet rastësisht, por kanalizohet drejt përmbajtjeve që janë të lehta për t’u konsumuar dhe të vështira për t’u shmangur.

Një element tjetër i rëndësishëm është normalizimi i konfliktit si formë argëtimi. Problemet reale fillojnë të përceptohen si të mërzitshme, ndërsa dramat e fabrikuara përceptohen si më “reale” se vet realiteti social.

Qysh duhet të veprojmë para se të jetë vonë?