Fakte abstrakte
2 Dhjetor, 2025
Era e tokës së lagësht dhe eleganca e një xhakete Barbour?! Veshja e koduar si “country” ka dominuar vitin 2025 dhe gjithçka na tregon se moda e frymëzuar nga “British countryside” do të vazhdojë edhe gjatë 2026-ës.
Nga Princesha e Uellsit te David Beckham, nga Claudia Winkleman tek ikonat e stilit në SHBA, duket se trendi “rural” ka pushtuar qytetet moderne, rrjetet sociale dhe pasarelat e luksit.
“Vala rurale n’qytet”?
Këtë vit, në tregjet urbane dhe rrugët e mbushura të Londrës, Manchester apo Edinburg, është bërë e zakonshme të shohësh Barbour-e, triko që vishen më së shumti në Skoci “Fair Isle”, kapela me materialin e trashë prej leshi “tweed-i”, tartan – paternë me vija, katëror, veshje që dikur shiheshin vetëm në zonat rurale.
Edhe në SHBA, trendi është përhapur fuqishëm: Katie Holmes, Hailey Bieber dhe marka si Proenza Schouler kanë përqafuar këtë estetikë “country-couture”.
Në skenën ndërkombëtare të modës, Chopova Lowena e ka kthyer “Scotland kilts” (Një veshje që i ngjanë një fundi deri në gju që mbështillet rreth e qark) në një prej artikujve më të kërkuar, falë adaptimit të tyre modern dhe rebel në forma tjera që ka sjellë moda.
Roli i Claudia Winkleman në “The Traitors” e veshur me “kilts”, triko të trasha dhe qizme e ka nxitur edhe më shumë trendin në Britani. Por edhe shtëpitë e modës luks si Dior, Burberry dhe Fendi e kanë adoptuar prej kohësh estetikën rurale.
Fendi prezantoi koleksionin “Town and Country”, i frymëzuar nga princesha Anne, me xhaketë të stilit Barbour, qizme prej lëkure dhe veshje me tartan (katëror dhe vija). Ndërkohë, Burberry me Daniel Lee, drejtorin krijues të tij, është frymëzuar nga zakoni i londinezëve të pasur që çdo fundjavë largohen nga qyteti dhe shkojnë në shtëpitë e tyre në fshat (apo e njohur si “friday night exodus”) për të sjellë koleksionin e tij.
Familja Mbretërore prej dekadash ka qenë “ambasadore” e stilit countryside/rural. Princesha e Uellsit shfaqet shpesh me “tweed”, qizme për kalërim, e motivuar nga stili i dikurshëm i Lady Diana. Së fundi, Catherine u shfaq me një fustan të gjatë të Emilia Wickstead me print “houndstooth” (një model gjeometrik i theksuar me kuadrate të thyera ose forma abstrakte), duke ripërforcuar rikthimin e këtij materiali klasik.
Bashkëpunime të reja si “Erdem x Barbour” apo frymëzimi i Louis Vuitton nga kodrat angleze për koleksionet dimërore, tregojnë ndikimin e thellë të këtij trendi në modën globale.
Pse njerëzit po e duan këtë stil?
Televizioni dhe rrjetet sociale kanë kontribuar shumë. Filmi “Saltburn” i Emerald Fennell, me humor të zi që satirizon aristokracinë britanike, ka përfshirë veshje ikonike të stilit “country estate”. Ndërkohë, dokumentari për Victoria Beckham tregoi David Beckham në pamjen që tashmë njihet si “Rich Autumn Dad” – kapela “tweed”, xhaketa të thjeshta, por elegante.
Sipas psikologes së modës, Dr Dion Terrelonge, ky stil ngjallë ndjesi stabiliteti dhe sigurie.
“Veshjet rurale i përkasin traditave dhe janë të ndërtuara për të zgjatur. Ato tregojnë që dikush vlerëson cilësinë dhe vazhdimësinë.”
Në kohë të pasigurta politikisht, ekonomikisht, madje edhe emocionalisht, njerëzit kërkojnë materiale të forta, të ngrohta dhe të njohura: dylli, lëkurë, “tweed” – material i trashë prej leshi. Këto pëlhura lidhen me natyrën, me ndjenjën e qetësisë dhe të përgatitjes për çdo mot.
Blogerja dhe ish-redaktorja e WSJ, Sasha Wilkins, thotë për BBC: “Sot kemi nevojë të ndihemi rehat. Këto rroba na kthejnë tek ideja e strehës, e ngrohtësisë, e thjeshtësisë.”
Edhe pse tendenca është popullore, ajo mbartë edhe elemente të privilegjit. Stili rural lidhet tradicionalisht me elitën britanike, me njerëzit që shkonin për gjueti, njerëz që kishin prona, ata që drejtonin dhe posedonin Land Rover-a të vjetër. Për shumë njerëz, veshja e një Barbour-i është një lloj shije e jetës aristokratike, qoftë edhe për një ditë.
Të veshësh një xhaketë Barbour në qendër të Hackney ka një domethënie krejt tjetër nga përdorimi i saj tradicional në zonat rurale, një ndërthurje e kulturës urbane me historinë rurale.
Me më shumë filma, seriale dhe projekte që trajtojnë jetën britanike të fshatit nga paroditë e tipit “Fackham Hall” te reality show-t e reja për zonjat e Cotswolds, trendi “country” duket sikur do qëndroj ende “IN”, në ekran, në telefon, në përditshmëri.
Përkundrazi, ai po bëhet një pjesë e pandashme e modës moderne: nostalgjik, praktik, elegant dhe i ngrohtë.
Më poshtë keni materialet e përmendura më lartë dhe foto ilustruese të personazheve që përmendëm.
Tartani është një pëlhurë me modele e bërë nga shirita horizontal dhe vertikal, që kryqëzohen me ngjyra të ndryshme që formojnë një model simetrik të quajtur “sett”.

Scotland kilts

Tweed – materiali i trash nga leshi




