N’Kosovë
5 Qershor, 2025
Kemi filluar ta trajtojmë jetën si një ekuacion që duhet zgjidhur. Si një krizë që duhet menaxhuar. Si një serial pa fund i vendimeve të vështira, pengesave dhe “sfidave personale” që e bëjnë çdo ditë të duket si një betejë për mbijetesë. Por çka nëse e gjithë kjo është vetëm një iluzion? Një keqkuptim monumental që i kemi trashëguar njëri-tjetrit përmes shekujve?
Po çka nëse jeta nuk është problemi? Çka nëse vetëm duket e tillë, kur përpiqemi ta ndalojmë me forcë atë që në fakt vetëm është duke rrjedhë.
Kur themi “problemi i jetës”, zakonisht i referohemi mungesës së kuptimit, frikës për të nesërmen, mbijetesës ekonomike, ose zbrazëtisë së brendshme. Por çka nëse të gjitha këto janë fantazma? Jo fantazma të mbinatyrshme, por ide që veprojnë në sfond pa i vënë kurrë në dyshim.
Filozofi Alan Watts thotë se shpesh përpiqemi të zgjidhim probleme që nuk ekzistojnë ose më saktë, që ekzistojnë vetëm sepse i kemi shpikur. Si ideja e “instinktit për mbijetesë”, e cila na jep ndjesinë se çdo veprim duhet të ketë një motiv të fshehur. Por kur vërtet e shikon me kujdes jetën, e sheh se shumica e gjërave ndodhin pa këtë “forcë të padukshme”.
Ne nuk jemi duke ecur nga një motiv i brendshëm si zvarranikë të programuar.
Në vend se të përpiqemi ta kuptojmë njeriun si një njësi të izoluar që reagon ndaj botës, ndoshta është më e mirë ta shohim si një dukuri që lind nga bashkëveprimi me gjithçka rreth tij. Ne nuk jemi të vetëm kur merremi me botën. Ne jemi marrëdhëniet tona. Ne nuk jemi një qënie e thjeshtë që reagon ndaj realitetit, por vetë reagimi. Vetë transaksioni.
Nëse një njeri është mjek, ai është edhe baba, qytetar, fqinj, mik. Ai nuk mund të shkëputet nga këto role për të qenë një “qenie e pastër”. Nuk ekziston ai njeriu i zhveshur nga të gjitha marrëdhëniet kjo është një krijesë imagjinare, një fantazmë metafizike që na ka ngatërruar për shekuj.
Edhe trupi ynë nuk mbahet bashkë vetëm nga lëkura, por edhe nga ajri që e shtyp nga jashtë. Nëse nuk do të kishte presion atmosferik, trupi do të shpërthente. Kështu që, a është trupi njësi e pavarur, apo një rezultat i marrëdhënies me mjedisin? A mund ta ndash diçka nga e tëra dhe të pretendosh se kupton thelbin e saj?
Ky është mashtrimi i vërtetë: ideja që jeta është një duel midis “meje” dhe “botës”. Ky është versioni që na lodh, na konsumon, dhe na bën të ndjejmë se çdo ditë duhet “të fitojmë”. Por s’ka betejë. Ka vetëm pjesëmarrje.
Kur e sheh jetën kështu si një lojë marrëdhëniesh, jo si një krizë ndoshta për herë të parë merr frymë thellë. Jo për të mbijetuar, por për të jetuar, sepse aty fillon gjithçka.
Sigurisht që kjo ide mund të duket absurde për dikë që jeton me 250 euro në muaj, që nuk ka qasje në shëndetësi, ose që pret me muaj një dokument nga ndonjë zyrë publike.
Dikush mund të thotë me të drejtë: “Hajde, t’i merri këto gajlet e mia edhe e shikojmë a janë imagjinare” dhe është e vërtetë që shumë nga brengat tona janë shumë reale, të prekshme dhe sistemike. Por ajo që sugjeron kjo qasje nuk është mohimi i këtyre vështirësive por një zhvendosje vëmendjeje: çfarë ndodh kur, për një moment, nuk i shohim këto halle si pengesa për ekzistencë, por si pjesë të pandashme të lojës së jetës që po luhet gjithsesi? Kur kuptojmë që ajo që jemi, nuk është thjesht pasojë e këtyre problemeve, por mënyra se si marrim pjesë në to, atëherë krijohet një hapësirë për ta jetuar veten ndryshe edhe në kushte që nuk janë ideale.