Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Qershor, 2025

Në një mëngjes të zakonshëm, dikush është zgjuar para teje. Jo për t’i dërguar e-mail shefit, as për të folur për të tjerët për të arritur tek gjërat që duan për vetëm, as për të zotëruar diçka që kurrë nuk do të bëhet e tyre, e as për të bërë sikur duan diçka që me zemër nuk e bëjnë por për të folur me tokën.

Një palë duar që nuk ndalen kurrë. Një punë që askush nuk e quan “karrierë”, por që e ndjenë në çdo kafshatë.

Pra në këtë jetë, ku ti zgjohesh, jashtë asaj që e konsideron “dinamike” dhe përshtatje me jetën moderne, ka punë që ndodhin larg syve tanë, por afër kafshatës sonë. Të padukshme, derisa mungojnë. Të zakonshme, derisa gjithçka ndalon.

Më thuaj një punë që njerëzit e nënvlerësojnë, por nëse ndalet, e ndjenë i gjithë vendi/shteti? Po filloj unë e para, fermerët!

Pse pikërisht fermerët?

Sepse çdo mëngjes që zgjohemi dhe gjejmë bukën në tryezë, çdo herë që blejmë fruta dhe perime të freskëta, çdo herë që ushqejmë fëmijët tanë jemi duke u mbështetur te puna e tyre. Dhe megjithatë, fermerët janë ndër profesionet më pak të paguara, më pak të mbrojtura dhe më pak të vlerësuara në çdo shoqëri.

Shpesh i shohim si njerëz që “punojnë tokën”, pa ndonjë ndërlikim intelektual. Por a e ke mendu që atë domatën e shijshme kur e provon, që shpesh i thu “domatet si t’Shqipërisë”, i ka nejt gati dikush që është inxhinier i klimës, menaxher i tokës dhe ekspert i mbijetesës. Ata përballen me mot të paparashikueshëm, me tregje që nuk i mbrojnë, me çmime që nuk i kontrollojnë dhe me politika që shpesh i harrojnë.

Mbi 96 mijë tonë grurë u importuan gjatë vitit të kaluar, ani se për kultivimin e kësaj kulture bujqësore shteti investoi mbi 16 milionë euro nga paraja publike gjatë 2023-ës.

Importi i grurit mbetet në nivel të njëjtë me atë të vitit 2021, ndonëse masat stimuluese për bujqit që kultivojnë këtë kulturë ishte 387 për qind më e lartë.

Mbaje mend këtë fakt!

Çfarë ndodh kur ata ndalojnë?

Mjafton një ditë grevë apo mungesë e inputeve bujqësore që tregjet të zbrazen, çmimet të rriten dhe njerëzit të fillojnë të panikojnë. Kjo nuk është një teori, është një fakt që historia e ka dëshmuar në shumë vende, nga India te Franca, kur protestat e fermerëve kanë paralizuar rrugë, tregje dhe qeveri.

Dhe megjithatë, si shoqëri, e kemi zakon t’i shohim me sy të lodhur. Jo rrallë, fëmijët që rriten në familje bujqësore edukohen me idenë se duhet “të shpëtojnë nga toka” dhe të bëhen “dikush”. Si të ishte toka dhe buka më pak e rëndësishme se një tavolinë në zyre.

A mund të ndryshojë kjo qasje?

Po, por duhet të filloj me një njohje të thellë: pa fermerë nuk ka jetë urbane, nuk ka qytetërim, nuk ka siguri ushqimore. Ndërkohë që flasim për teknologji, startup-e dhe ekonomi digjitale, duhet të kuptojmë që çdo revolucion varet nga një zinxhir furnizimi që fillon me një fidan në tokë.

Shtetet që investojnë në bujqësi jo vetëm në subvencione, por edhe në edukim, infrastrukturë dhe dinjitet për fermerin janë më të qëndrueshme dhe më të sigurta. Sepse asnjë superfuqi nuk mbijeton pa bukën e saj.

Tash është radha jote lexues, ma thuaj emrin e një profesioni që nuk ja dimë vlerën.