Fakte abstrakte
18 Qershor, 2025
Ne mund të flasim gjerë e gjatë për historinë e kafesë, por duke pasur parasysh popullaritetin e kësaj pijeje, ka gjasa që tashmë i keni dëgjuar shumicën e fakteve interesante rreth saj. Po çfarë thoni për historinë e Mbretit Gustav III? E keni dëgjuar ndonjëherë?
Fillimisht, ndjesë për entuziastët e historisë që tashmë dinë gjithçka për monarkët suedezë të shekullit XVIII, por për të gjithë të tjerët që nuk kanë dëgjuar, ja një histori e shkurtër.
Nga fundi i viteve 1700, Mbreti Gustav III sundoi Suedinë për më shumë se dy dekada, duke e rikthyer parlamentin nën kontrollin e familjes mbretërore, sipas Encyclopedia Britannica.
Megjithëse në dukje ishte i etur për pushtet, Gustav mbështeti iluminizmin dhe e përdori fuqinë e tij për të mirën e përbashkët. Ai ndaloi torturën si mjet për hetimin e krimeve, zgjeroi liritë fetare dhe ato të shtypit, dhe ndërmori reforma që e bënë ekonominë më të drejtë.
Gustav madje ishte adhurues i artit, shkruante drama dhe themeloi një shkollë që promovonte letërsinë kombëtare.
Megjithatë, mbreti kishte padyshim edhe prirje autoritare. Ai vendosi ligje më të rrepta për qeverisjen, forcoi marinën suedeze dhe e përdori për të luftuar kundër Rusisë, si dhe kundërshtoi Revolucionin Francez.
Si shumë figura historike, Gustav III kishte edhe anë pozitive edhe anë të errëta. Por ndoshta qëndrimi i tij më radikal ishte kundërshtimi ndaj kafesë. E urrente aq shumë, saqë organizoi një eksperiment makabër për të provuar se ajo ishte e dëmshme.
Rastësisht, e drejta për të pirë kafe dhe çaj në Suedi ishte kufizuar zyrtarisht vetëm një vit pasi Gustav III lindi, sipas “Foodbeast”. Ndoshta ndaj filloi të qante për kafeinën që në lindje?
Megjithatë, kërkesa për kafe vazhdoi të rritej deri në atë pikë sa, si i rritur, Mbreti Gustav ndjeu se duhej të bënte diçka për t’u treguar qytetarëve të tij besnikë se kafeja ishte e keqe.
Kur një çift vëllezërish binjakë, që ishin dënuar me vdekje për vrasje, u kapën, Gustav mori një vendim: meqenëse kafja qenka e ndaluar dhe kaq e dëmshme, “vdek për dek”, të dy do të lejoheshin të jetonin sa më gjatë që të ishte e mundur. Por njëri do të lejohej të pinte vetëm çaj, ndërsa tjetri vetëm kafe.
Njëfarë eksperimenti social, i asaj kohe.
Në fund, një fisnik i pakënaqur e vrau Mbretin Gustav III, duke e qëlluar gjatë një balloje me maska në opera. Po, e lexuat drejt – i shkretë mbret nuk jetoi mjaftueshëm për të parë rezultatet e eksperimentit të tij. Subjektet e testit jetuan më gjatë se ai, duke vdekur nga shkaqet natyrore në moshën rreth 80-vjeçare.
A ishte eksperimenti i tij një dështim total? Epo, nuk është aspak provë shkencore, por njëri nga binjakët vdiq para tjetrit, edhe pse pija që konsumonte nuk ishte domosdoshmërisht përgjegjëse për vdekjen e tij.
Cili vdiq i pari? Ai që pinte çaj.
Eksperimenti i Gustav-it nuk dha rezultatin që ai priste dhe, sipas “Cambridge World History of Food”, Suedia u bë një nga vendet me konsum më të lartë të kafesë në botë gjatë dy shekujve të ardhshëm.
Për më tepër, suedezët edhe sot e kësaj dite e adhurojnë kafen. Ndoshta, nuk qenka dhe aq e keqe, pas të gjithave!