Bota
12 Korrik, 2025
Një epokë e tërë që nuk matet me vite por me aromën e shiritave VHS, me shijen e kafesë së ngrohtë në gotë plastike, me dritat e Piccadilly-t që për dikë ishin si Broadway-i vet.
Ishte koha kur shkoje në Tower Records, në zemër të Londrës dhe humbje mes rafteve të CD-ve dhe kasetave duke shfletuar kopertinat si të ishin faqe ditari. (Krejt fitimi prej tips/bakshisheve për një album të ri, një b-side të rrallë, a thjeshtë për ndjenjën me qenë pjesë e asaj bote, në këtë vend harxhohej)!
Koha kur mbaje një Walkman me diskun e Oasis në xhep dhe besoje me gjithë shpirt që muzika kishte përgjigje për gjithçka.
Mbrëmë, në Heaton Park, ajo ndjesi u kthye jo si kujtim, por si realitet.
Kjo ishte nata e Cool Britannia.
Britpop-i u kthye në britmë: Rikthimi historik i Oasis dhe Richard Ashcroft në Manchester!

Më 11 korrik 2025, në një nga parqet më të mëdha të Manchesterit, Heaton Park, ndodhi një nga ngjarjet më të shumëpritura në historinë e muzikës britanike. Përpara 80,000 fansave që kishin ardhur nga mbarë bota, Oasis dhe Richard Ashcroft ndanë një skenë që nuk kishte më nostalgji, por rilindje të gjallë. Në një qytet që jeton përmes historisë së tij muzikore, kjo mbrëmje ishte më shumë se një koncert. Ishte një ritual rikthimi, një takim brezash dhe një pajtim emocional me të kaluarën.
Ndarja që dikur na hidhëroi sot na bashkoi! Pse kjo natë ishte historike për Oasis?

Në vitin 2009, vëllezërit Liam dhe Noel Gallagher u grindën aq keq pas skene në Paris, sa grupi u shpërbë në vend. Kishin pasur tensione për vite kush shkruante më mirë, kush duhej ta kishte zërin më të fortë, kush ishte “zemra” e grupit.
Që nga ajo kohë, nuk kishin komunikuar për vite të tëra. Fjalë të rënda publike, intervista thumbuese dhe shumë pak shpresë për një ribashkim.
Pas 16 vjetësh ndarjeje dhe heshtjeje publike, Liam dhe Noel Gallagher u kthyen në skenë së bashku, në qytetin ku gjithçka kishte nisur. Të dy ishin të qeshur, të përmbajtur, por të vendosur: Oasis ishin sërish bashkë. Koncerti i Manchesterit ishte pjesë e turneut Oasis Live ’25, një seri prej pesë mbrëmjesh që kanë shndërruar verën britanike në një festë të vërtetë kulture dhe identiteti.
Kjo nuk ishte thjeshtë një mbrëmje për të kënduar “Wonderwall” në kor, por për të ndjerë forcën e një brezi që nuk kishte humbur kurrë besimin në magjinë e muzikës.
Publiku u çmend. “Wonderwall”, “Live Forever”, “Don’t Look Back in Anger”… një pas një. Në një moment, të dy ngritën duart së bashku skena nuk po dëshmonte vetëm praninë e dy vëllezërve, por një simbol të faljes, të rritjes e kthimit.
Kthehet himni “Bitter sweet symphony” nga Richard Ashcroft. Konflikt gjeneratash, kush e ka fajin që të rinjtë e kërkojnë me Shazam këtë perlë?

Dje rreth orës 19:00, skena u bë vend i një rrëfimi personal. Richard Ashcroft, ish-vokalist i The Verve, u ngjit në skenë me një prani të qetë, por të thellë. Ishte 30-vjetori i martesës së tij me muzikanten Kate Radley, por ai zgjodhi të jetë aty, mes fansave të tij:
“Si çdo burrë nga veriu, e kam bërë lëmsh. Sot është 30-vjetori i martesës sime, por jam këtu me ju.”
Pasi e uruan së bashku “Happy Anniversary, Kate!”, Ashcroft u zhyt në “Lucky Man”, një dedikim dashurie. Por kulmi emocional ishte padyshim “Bittersweet Symphony”, kënga që shpërtheu në një himn kolektiv, aq e fortë dhe e pastër, saqë dukej sikur i përkiste vetë parkut.
Disa ditë më parë në Cardiff, një video ishte bërë virale në rrjetet sociale: Një vajzë e re, e pranishme në koncert kishte përdorur Shazam për të identifikuar Bittersweet Symphony. Komentet ishin të ndara, por Ashcroft reagoi me klas:
“Nëse nuk e njeh, kërkoje në shazam. Çdo brez është i mirëpritur. Muzika nuk ka afat të skadimit”!
Me një zë të vetëm nga turma, si një himn i gjeneratave që po takohen në mes brezi që e kishte përjetuar live në ’97 dhe ai që po e mësonte tani.
Cool Britannia 2.0 rikthim me vetëdije

Dikur, kur Britania ishte në kulmin e vet kulturor – me Blur, Oasis, The Verve, Alexander McQueen dhe Kate Moss që dominonin çdo titull – termi “Cool Britannia” shfaqej nëpër kopertina si identiteti i një kombi që kishte rikthyer vetëbesimin përmes artit dhe zërit të rrugës.
Por edhe pse vëllezërit Gallagher përfunduan në konflikt në kulmin e asaj epoke, me Noel që njëherë tha se Liam “gati ma hoqi fytyrën me kitarë” në prapaskenë, gjë që çoi në ndarjen e Oasis në 2009, gjenerata e re Gallagher duket se është rritur me më shumë qetësi dhe sens humori.
Në intervistën për Tatler, Molly vajza e Liam Gallagher (që për shumë vite nuk kishte kontakt me babain e saj) tregon se sot, marrëdhënia me Lennon dhe Gene (me vllezërit e saj nga babai) është e afërt dhe e ngrohtë, përkundër faktit që janë rritur ndarazi.
Në një kohë kur baballarët e tyre nuk mund të ndanin një kitarë pa e kthyer në armë, fëmijët e tyre ndajnë buzëqeshje dhe ndjenja të përbashkëta. Cool Britannia, në versionin e vitit 2025, është më pak grindje dhe më shumë qetësi.