Zona Vjosë-Nartë në Shqipëri është një vendndalesë e rëndësishme për zogjtë shtegtarë midis Evropës dhe Afrikës dhe është një nga ligatinat më të rëndësishme në të gjithë rrugën e fluturimit mbi Adriatik.
Këtu jetojnë mijëra flamingo, ndonjëherë mbi 5,000 njëkohësisht.
Së fundmi kjo ligatinë, ka pritur koloninë e saj të parë të folezimit, me më shumë se 280 fole të zbuluara. Kjo e shndërron Nartën në një nga parajsat më magjike të flamingove në Evropë.
Zona e Nartës është shtëpia e mbi 70 specieve të rrezikuara, 200 specieve të zogjve dhe krijesave të jashtëzakonshme si breshka e ujit, foka murg dhe bretkosa e ujit. Megjithatë, kjo perlë rrezikon të humbasë përgjithmonë për shkak të ndërtimit të një aeroporti të paligjshëm.
Sipas një artikulli të shkurar nga Uran Haxha në Kosovo 2.0: Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, ka udhëhequr një fushatë të fortë kundër ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas koordinatores së kësaj organizate, Sara Skrapalliu, në ditën e testimit të aeroportit, më 8 maj 2025, zogjtë u çakorduan duke fluturuar në drejtime të ndryshme si të përhumbur.
Laguna e Nartës është një habitat i rëndësishëm për shpendët shtegtarë dhe fluturimi testues ka shkaktuar shqetësim te kolonitë e flamingove, të cilat folezuan për herë të parë këtë qershor.
Skrapalliu ka thënë se organizatat kanë ndërmarrë veprime ligjore për ndalimin e ndërtimit të aerportit kurse ka thënë se procesi është përballur me vonesa.
As bashkësia ndërkombëtare nuk rri duarkryq. Në shtatorin e 2023-ës, Konventa e Bernës për Ruajtjen e Jetës së Egër Evropiane kërkoi pezullimin e punimeve të ndërtimit derisa të kryhet një Vlerësim i Vlefshëm i Ndikimit Mjedisor, duke përmbushur standardet ndërkombëtare teknike, shkencore dhe metodologjike.
Së bashku me Aleancën Mesdhetare për Ligatinat, Partneriteti BirdLife i ka dërguar letra Komisionit Evropian, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, duke i kërkuar atyre që të ndalojnë menjëherë punimet e ndërtimit dhe të ruajnë këtë emblemë të biodiversitetit mesdhetar.
Ndërkohë, AOS dhe PPNEA kanë propozuar zgjidhje alternative për ndërtimin e një aeroporti të ri, të tilla si zgjerimi i madhësisë së Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërtimi i një hekurudhe me shpejtësi të lartë për të lidhur jugun e vendit me Tiranën, ose shqyrtimi i vendndodhjeve alternative për aeroportin si Risili, Kafaraj ose Levan, pas kryerjes së një vlerësimi të duhur mjedisor dhe të rrezikut.
Laguna mbanë emrin e fshatit Nartë, i cili ndodhet në brigjet jugore të lagunës. Brenda lagunës ndodhen dy ishuj, ku ishulli i Zvërnecit është më i madhi. Një urë këmbësorësh prej druri lidhë lagunën me ishullin, ku ndodhet një manastir i shekullit të 13-të.
Të paktën 34,800 zogj dimërues mund të numërohen në lagunë.
Flamingot jetojnë mesatarisht deri në 30 vite. Ato jetojnë gjithmonë në grupe, që nga ato me numër të vogël, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.
Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhja nga rëndësia për shpendët e ujit në Shqipëri. Në këtë lagunë janë rreth 20 mijë shpend dimri të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.
Laguna e Nartës është lehtësisht e arritshme me makinë. Bëni disa ndalesa përgjatë rrugës dhe shikoni zogjtë nga makina për të bërë fotografi të bukura.