N’Kosovë
20 Shtator, 2025
Një histori shqiptare me rrënjë të thella në besë e nderë, po hyn në garën më të madhe të kinematografisë botërore. Filmi “Nderi” (“Obraz”), me aktorët kosovarë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja dhe Selman Jusufi, është shpallur kandidati zyrtar i Malit të Zi për Çmimin Ndërkombëtar të Filmit në “Oscars 2025”.
Në qendër të filmit është rrëfimi tronditës për Nur Dokën, bajraktarin shqiptar që gjatë Luftës së Dytë Botërore vendos të mos e tradhëtoj besën: ai refuzon t’ua dorëzojë fashistëve një fëmijë ortodoks, të strehuar në shtëpinë e tij.
Me regji të Nikola Vukçeviqit dhe me një kastë aktorësh kryesisht shqiptarë, “Nderi” ka fituar jehonë në festivale ndërkombëtare nga Cottbus e Kajro, deri në Sofje e Herceg Novi. Filmi, i realizuar kryesisht në gjuhën shqipe, ka motive të Kanunit dhe vlerat e mikpritjes e besës që shqiptarët i njohin mirë, por rrallë i kanë parë në ekranin e madh.
“Ky film flet për thelbin e njerëzimit – të ndihmosh tjetrin, pavarësisht dallimeve”, ka thënë Edon Rizvanolli, që portretizon figurën e Nur Dokës duke e ndërtuar mbi kujtimet për gjyshin e tij.
A është ky film më shumë një histori kombëtare shqiptare sesa një projekt malazez?
Ky është rasti i parë që Mali i Zi garon për “Oscar” me një film në gjuhën shqipe, një hap që e vendos kulturën shqiptare në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
“Tre filma u paraqitën në thirrjen publike të këtij viti nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, e cila ishte e hapur prej 4 gushtit deri më 4 shtator 2025: ‘Planeta 7693’, nën regji të Gojko Berkulan, ‘Otapanje Vladara’, nën regji të Ivan Salatiq dhe ‘Obraz’”, shkruhet në njoftim. Për përzgjedhjen e “Nderit” vendimi është marrë me shumicë votash.
“Vendimi u mor nga Komisioni Përzgjedhës i Ministrisë së Kulturës dhe Medias, i përbërë nga: Stevan Koprivica, dramaturg dhe skenarist, kryetari dhe anëtarët: Maja Todoroviq, dramaturge dhe skenariste, Edin Jasharoviq, producent, Milosh Pejoviq, aktor, Senad Shahmanoviq, regjisor filmi dhe televizioni, Aleksandar Vujoviq, regjisor filmi dhe Gjorgje Vojvodiq, regjisor filmi dhe televizioni.
Vendimi u mor me shumicë votash, me votim të fshehtë, bazuar në Rregullat Speciale të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe Rregullat e Ministrisë së Kulturës dhe Medias”, thuhet në njoftim.
A është përzgjedhja me shumicë votash e komisionit malazez një tregues se kultura shqiptare po fiton gradualisht vend në kinematografinë e vendit fqinj?
