N’Kosovë / foto: Këshilli lokal Dragobil
7 Korrik, 2025
Ndërsa temperaturat e larta të korrikut po shndërrojnë arat dhe pyjet në barut të thatë, e Kosova po përballet me një valë të egër zjarresh që s’kursejnë as grurin, as malet, as shpresat, diku në një fshat të vogël, po ndizet një zjarr tjetër, jo për të djegur, por për të mbrojtur. Një zjarr i mirë, i brendshëm. Quhet përgjegjësi kolektive.
Në Dragobil, një fshat i zakonshëm që në kohë krize po shfaqet si i jashtëzakonshëm, Këshilli Lokal ka bërë një kërkesë të thjeshtë dhe të ndershme: kontribut nga banorët për blerjen e pajisjeve për fikjen e zjarrit. Jo për luks. Jo për dekor. Por për jetë.
Fjala është për pesë shpinore profesionale që do të përdoren nga një grup emergjent vullnetarësh, të rinj të fshatit, që kanë vendosur të mos presin zjarrfikësit nga qyteti, por të ndërhyjnë vetë, aty për aty, sa herë që tymi del mbi kodra. Çmimi për një pajisje është 175 euro, dhe plani është të blihen pesë: 875 euro që mund të shpëtojnë qindra hektarë, dhjetëra shtëpi dhe ndoshta jetë njerëzish.
Në një vend ku shpesh ndjejmë se çdo gjë shkon keq dhe se askush nuk mendon për të mirën e përbashkët, ky shembull i Dragobilit është një përkujtim i fuqishëm se njerzillëku nuk ka vdekur. Ai jeton në heshtje, në veprime të vogla, në fshatra që nuk bëjnë zhurmë, por bëjnë punë.
Kjo vjen në një kohë kur lajmet nga komunat e Kosovës janë shqetësuese. Prishtina ka regjistruar 12 raste zjarresh në një ditë të vetme. Ekipet e zjarrfikësve janë shpërndarë në Krojmir, Podujevë e Lipjan, duke bërë përpjekje të mbinatyrshme për të ndaluar përhapjen e flakëve. Edhe në Istog, Shtime e Podujevë, situata është alarmante.
Kryetarët e komunave, nga Shpejtim Bulliqi i Podujevës e deri te Ilir Ferati i Istogut, janë duke apeluar për ndërgjegjësim, për kujdes, për ndalim të praktikave të dëmshme si djegia e hamulloreve. Ani pse kur po dalin në mbikëqyrje i shohin mjetet që i posedojnë zjarrfikësit lokal. Aso makinash të viteve të ’80 ose edhe më të hershme.
Ndërsa institucionet mobilizohen dhe reagimi është gjithnjë i vështirësuar nga era, terreni e mungesa e paisjeve, ajo që bën diferencën, janë njerëzit.
Sepse në turma të mëdha, gjithmonë ka nga ata që e mbajnë peshën e përbashkët mbi supe dhe kjo është ajo që ruan thelbin e një shoqërie.
Në kohë zjarri, janë ata që dalin ta shuajnë zjarrin që duhet përmendur. Jo vetëm me ujë, por me mendje, me zemër, me shembull.
Në një vend që shpesh mbytet nga pesimizmi, është e shëndetshme ta themi me zë të lartë, Kosova ka njerëz që mendojnë për vendin dhe këta janë patriotët e vërtetë.
