Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Shtator, 2025

Gjumi është një nevojë universale, por mënyra se si ai përjetohet ndryshon shumë nga vendi në vend.

Një artikull i BBC-së në vitin 2023, që flet për historikun e gjumit, tregon se si mjekët grek Alkmeoni dhe Galeni përpiqeshin të kuptonin se çfarë ndodhte me trupin kur flinim. Por më interesantja është se njerëzit nuk flinin gjithmonë në një gjumë të gjatë, si sot.

Në Mesjetë e deri në shek. XVII, shumë evropianë praktikonin “gjumë të parë” dhe “gjumë të dytë”.

Shkonim në shtrat rreth orës 22:00, zgjoheshin pas disa orësh, lexonin, luteshin ose vizitonin fqinjët, dhe pastaj flinin përsëri deri në mëngjes. Ky zakon është gjetur edhe në Afrikë, Azi e Lindjen e Mesme.

Çfarë e ndryshoi këtë ritëm? Drita elektrike. Pas shpikjes së llambës nga Thomas Edison në vitin 1879, njerëzit filluan të rrinin zgjuar deri vonë dhe gjumi u shndërrua në një periudhë të vetme 7–9 orëshe, siç e njohim sot.

Megjithatë, gjurmë të gjumit bifazik kanë mbetur: siesta në vendet mesdhetare apo eksperimentet moderne që tregojnë se trupi ynë ka ende prirje natyrore për “dy gjume”.

Këto janë disa lloje të gjumit në botë dhe mënyra të pushimit që praktikojnë popujt e ndryshëm

Japonia “Inemuri”

Në Japoni, të të zë gjumi në publik qoftë në tren, në zyrë apo në një mbledhje nuk shihet si dembelizëm. Përkundrazi, praktika e quajtur “Inemuri” interpretohet si shenjë përkushtimi.

Japonezët e shohin kështu, nëse po dremit në publik, kjo tregon që ke punuar shumë. Ky lloj pushimi është bërë një normë sociale e ndërtuar mbi besimin dhe respektin për përpjekjen.

Spanja “Siesta”

Nga ana tjetër, në Spanjë lind një tjetër ritual i gjumit, Siesta. Me origjinë nga pasditet e nxehta mesdhetare, Siesta erdhi si mënyrë për të riorganizuar ditën. Pushimi në mesditë u jep njerëzve energji të re për pjesën tjetër të ditës, duke i shpërndarë orët e produktivitetit në mënyrë më të barabartë.

Italia “Riposo”

Italia ka versionin e vet Riposo. Në shumë qytete italiane, dyqanet mbyllen në mesditë. Ky ritual nuk është vetëm për të fjetur, por edhe për të ngrënë bashkë, për t’u lidhur me familjen e miqtë, dhe për t’i dhënë qytetit një ritëm më të ngadalshëm.

Është një shprehje e stilit mesdhetar, ku pushimi nuk shihet si luks, por si pjesë natyrale e jetës.

Pushimi si pasuri kulturore

Nga Inemuri tek Siesta e Riposo, këto tradita tregojnë një gjë të përbashkët: pushimi nuk është dobësi, por mënyrë për të ruajtur energjinë dhe për të balancuar jetën. Ndoshta ia vlen të mësojmë nga këto kultura që pushimin ta shohim si vlerë, e jo si humbje kohe.

Shqiptarët “M’u kotë”

Kjo fjali është “thanje e përditshme”, shprehjet: “po shkoj me bo një sy gjumë” dhe kur të bëhet pyetja “çka po bon? Po kotna pak” janë fjali që e përshkruajnë pushimin për popullin tonë.

Shqiptarët, si popull kryesisht bujqësor e blegtoral, e kanë lidhur gjithmonë gjumin me ritmet e natyrës dhe punës.

1. Zgjimi herët – ngriheshin që para agimit, për të filluar punën në ara ose për të nxjerrë bagëtitë. Kjo bënte që gjumi i natës të ishte i hershëm dhe i gjatë në dimër, por më i shkurtër në verë.

2.Dremitja e ditës – Në vapën e mesditës, sidomos verës, njerëzit bënin një pushim ose “sy gjumë” (një lloj sieste). Edhe sot në disa zona rurale kjo praktikë ekziston.

3.Ndarja e gjumit – Në disa raste, sidomos te burrat që ruanin bagëtitë, ka qenë e zakonshme të zgjoheshin natën e të rifuteshin sërish në gjumë. Pra, edhe te shqiptarët ka pasur një formë gjumi “me dy faza”, si në Evropë para-industriale.

4.Pushimi pas darkës – Familjet shpesh nuk shtriheshin menjëherë. Pas bukës, qëndronin bashkë: bisedonin, thurnin këngë a përralla. Ky ishte një pushim shoqëror para gjumit të vërtetë.

5.Sezonaliteti – Në dimër, kur ditët ishin të shkurtëra, gjumi ishte më i gjatë. Në verë, puna e gjatë kompensohej me pushim pasdite.