Në një valë!
14 Korrik, 2025
Ad Pojana dhe Flor Binaj nisin emisionin “Asht” në Paper Play!
Nga sot, më 15 korrik, në Paper Play nis një emision i ri që premton të sjellë humor, vëzhgim të mprehtë dhe komedi spontane në çdo episod: “Asht”, me Ad Pojana dhe Flor Binaj, çdo të martë dhe të enjte në orën 21:00.
A “asht” kockë, apo “asht” diçka tjetër?
Me një titull që luan me fjalën shqipe “asht” ku çdo episod është një pyetje e hapur për realitetin: A është kjo që po shohim vërtet kjo që duket? A është ky vend i çmendur apo thjesht komik dhe… a mund të qeshim, në vend që të zemërohemi?
Siç tha Ad Pojana në promovimin e emisionit në “Flet’ Mëngjesi”:
“Emisioni ka bazën tek ajo që, në këtë vend mos merrni asgjë seriozisht. Po re në gropën e seriozitetit, e hëngre. Këtu politika ka gallatë, media ka gallatë, njerëzit kanë gallatë. Nëse e merr seriozisht, dhe e vuan, ti re në grupin e madh të seriozitetit”, tha ai.
“Asht” është një përgjigje me humor për një realitet që shpesh sfidon logjikën. Në një vend ku absurdja është përditshmëri, Pojana dhe Binaj sjellin atë që mungon më së shumti – qetësinë për të qeshur me të gjitha.”
Këto janë katër arsyet pse ti dëgjues i Paper Play dhe lexues i Paper, duhet ta përcjellësh “Asht”:
E para… në një shoqëri ku gjithçka dramatizohet nga deklaratat e politikanëve, te titujt mediatik, e deri te bisedat mes miqve ky emision ofron një formë të qeshurës që zhbllokon tensionin dhe nxjerrë të vërtetën.
E dyta… sepse komedia është mënyra më e zgjuar për të thënë gjërat që nuk thuhen ndryshe.
Ad Pojana dhe Flor Binaj nuk kanë nevojë për maska. Ata i kanë parë dhe jetuar të gjitha absurditetet që ndodhin përditë në politikë, kulturë, në rrugë e në medie dhe tani kthehen në mikrofon për t’i shqyer me fjalë.
E treta… sepse ky vend ka plot njerëz që ndihen të lodhur, por nuk duan të ikin.
“Asht” është për ta, për ata që duan të mbeten këtu, por duan një arsye për të mos u mpirë. Është një hapësirë për të qeshur pa u ndjerë fajtor, për të reflektuar pa rënë në pesimizëm.
Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme… sepse të kuptosh realitetin me humor është akt rezistence.
Në kohë zhurme, mendjemadhësie dhe mediokriteti, të qeshësh me të vërtetën është mënyra më e kthjellët për t’u mbrojtur nga budallallëku.
Emisioni nis më 15 korrik, në Paper Play Radio, çdo të martë dhe të enjte, ora 21:00.
“Asht”, është terapi kolektive.
***
Rreth prezantuesve:
Flor Binaj është një nga aktorët me të dashur të brezit të tij, me një karrierë të gjatë në komedi, improvizim dhe satirë. Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë fytyrë qendrore e “Portokallisë”, ku solli qindra personazhe të njohur e të shpikur, nga politikanë te qytetarë të zakonshëm. I njohur për emisonin radiofonik “Rikoshet”, së bashku me Ad Pojana.
Përveçse aktor, Flori është edhe një zë kritik dhe i angazhuar në çështje sociale e politike, pa e humbur kurrë sensin e humorit. Ai është edhe prezantues në programin, “Piranjat”.
***
Ad Pojana është një nga figurat më të veçanta të humorit dhe të komentuara në rrethin kulturor në Shqipëri. I njohur për inteligjencën therëse, vëzhgimin e mprehtë dhe një humor që nuk ka nevojë të bërtasë për të bërë efekt, ai ka ndërtuar një stil të vetin ku ironia bëhet mjet analize dhe absurdi merr formë të qartë.
Ka qenë pjesë e emisioneve televizive që kanë lënë gjurmë në emisionin radiofonik “Summer time” poashtu edhe në “Rikoshet”, së bashku me Flor Binaj. Ka drejtuar kuizin “Leku te dera” dhe “Fiks Fare”.